24-11-2024

Vrasja në Qifllak të Rahovecit, i akuzuari mohon ta ketë vrarë vëllanë e tij

I akuzuari për vrasje të rëndë, Arben Morina, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

I akuzuari Morina akuzohet se me 8 maj të vitit 2019, në mes të orës 23:00-05:00, e ka privuar nga jeta vëllanë e tij 31 vjeçar, Naser Morina, raporton “Betimi për Drejtësi.

Leo edhe:

Ndër dështimet e shumta, Komuna e Prizrenit edhe me mungesë transparence (Dokument)

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Morina deklaroi se është i pafajshëm.

E dëmtuara, përkatësisht nëna e të akuzuarit, Kimete Berisha tha se djali i saj është i pafajshëm, duke kërkuar që të njëjtin ta lirojnë.

Më pas, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Shaqir Zika deklaroi se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, derisa e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se brenda afatit prej 30 ditësh ka të drejtë të dorëzojë me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj tha se me qëllim që të mos prolongohet procedura ndoshta do të heqin dorë nga kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, për çka do ta njoftoi gjykatën me kohë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Morina po ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 parag.1 nënparag.1.3 të KPRK-së dhe “armëmbajtje pa leje” nga neni 366 parag.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 8 maj 2019, në mes të orës 23:00 e gjerë në orën 05:00 të 9 majit 2019, në fshatin Qifllak të Rahovecit, në shupën e cila gjendet në katin e parë të shtëpisë së të ndjerit, me dashje dhe motive të panjohura ka privuar nga jeta vëllain e tij, Naser Morina, i moshës 31 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, vrasja dyshohet të ketë ndodhur në atë mënyrë që duke qëlluar me një të shtënë nga revolja kalibër dhe tip i panjohur në pjesën e parme të kraharorit, ku sipas raportit të autopsisë vdekja e tij ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme të kraharorit si pasojë e plagës tejshkuese në regjionin e zemrës, e shkaktuar nga veprimi i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.

Sipas aktakuzës, arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e vrasjes nuk është arritur që të sekuestrohet, pasi që i akuzuari të njëjtën e ka hudhur.

Asnjë koment

Comments are closed.