09-12-2024

Vrasje në tentativë, shtetasi nga Shqipëria theri me thikë pylltarin nga Dragashi

Policia në Prizre ka njoftuar, se dy zyrtarë të Agjencisë Pyjore të Kosovës, derisa po ushtronin kontroll dhe po kryenin detyrën në zonën e fshatit Orqushë, K.K Dragash, dje kanë vërejtur se në zonën e tyre të përgjegjësisë dy persona po kryenin veprim të kundërligjshëm duke dëmtuar dhe duke vjedhur pyllin.

Në njoftim, thuhet sapo personat zyrtarë kanë kërkuar t’i legjitimojnë të dyshimtit njëri nga ata duke e sulmuar me thikë rojën e pyllit i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili me urgjencë është dërguar në qendrën e mjekësisë familjare në Dragash dhe më pas në Spitalin Rajonal në Prizren.

“Viktimat e këtij rasti janë persona zyrtarë të cilët janë sulmuar në kryerje të detyrës. Të dyshimtit D. H. , shtetas nga Shqipëria i lindur në vitin 1999 dhe D. H., po ashtu shtetas nga Shqipëria i lindur me 2001, përveç dëmtimit të pyjeve kanë kryer edhe veprime tjera në kundërshtim me ligjet, duke kaluar kufirin në mënyrë ilegale, ku kanë sulmuar dhe kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore ndaj personave zyrtarë dhe të njëjtit kanë arritur të largohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe përmes rrugëve hetimore- operative ka arritur të mësojë për identitetin e personave të dyshimtë dhe në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë dhe organet e drejtësisë shumë shpejt do të ndalojë të dyshuarit e këtij rasti.

Në lidhje me këto veprime është informuar prokurori kompetent në Prokurorinë Themelore në Prizren”, njofton Zyra për Informim e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.