“Zambaku i Prizrenit” nga festival i kulturës në festival të “karaokes” dhe tenderëve
Zambaku i Prizrenit është festivali i këngës së vjetër qytetare, i themeluar që nga viti 1986, nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat.
Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur Komuna e Prizrenit ka marrë përsipër menaxhimin e tij.
Mirëpo viteve të fundit këtë festival e kanë karakterizuar dështimet e njëpasnjëshme, si dhe ka pasur mungesë të interesimit të qytetarëve, si pasojë e degradimit qoftë kulturor por edhe nga institucionet lokale.
Në vitin 2018, Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka kishte anuluar organizimin e festivalit “Zambaku i Prizrenit”.
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit në vendet e fundit në Kosovë për Kulturë, Rini e Sport (Dokument)
Për më tepër kryetari Haskuka kishte premtuar se ky festival nuk do ti nënshtrohej procedurave të tenderimit dhe se Komuna do të ishte përgjegjësi kryesor për organizimin e këtij festivali.
Mirëpo, ky premtim i kryetarit Haskuka është “tharë” njëjtë sikurse po “thahet” madhështia e këtij festivali.
Për shkak të situatës së pandemisë, festivali Zambaku i Prizrenit është organizuar në një formë jo tradicionale, duke i’u përshtatur rrethanave dhe udhëzimeve të institucioneve shëndetësore.
Por edhe ky festival sikurse shumë ngjarje tjera kulturore e sportive, është “ngjyrosur” me prapavijë politike.
Tekstin e kësaj kënge e ka punuar Musa Bushrani, i cili është bashkëshorti i asamblistes së Vetëvendosjes në Prizren, Mimoza Bushrani, kurse muzika ka qenë e Veton Perollit, i cili ka qenë kandidat për asamble nga radhët e Vetëvendosjes në Prizren, shkruan Lajm365.
“Tharja” e festivalit Zambaku i Prizrenit mund të shihet edhe për nga numri total i qytetarëve që kanë marrë pjesë, e që është 798 vota. Kjo tregon interesimin e vogël dhe organizimin e zbehur të këtij festivali.
Për më tepër ky festival përkundër premtimit të kryetari Haskuka, ka dalur në tender, kurse vetëm me datë 6 tetor është publikuar njoftimi për dhënien e kontratës në vlerë prej 25,999.52 Euro.
Pra edhe pse festivali është organizuar dhe ka përfunduar, vetëm me 6 Tetor është publikua Njoftimi për dhënien e kontratës, kurse nuk është publikuar fare kontrata e nënshkruar për tu njoftuar publiku për shpenzimet e organizimit. Një veprim i tillë paraqet shkelje flagrante të legjislacionit mbi prokurimin publik pasi komuna nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim pa kontratë të nënshkruar me operatorin ekonomik i cili fiton tenderin.
Edhe muzikanti i njohur Menan Kiseri ka kritikuar organizimin e edicionit të 31 të këtij festivali duke e quajtur “Zambaku (Karaoke)”.
I njëjti ka shkruar se kriteri i këtij festivali ka qenë muzika e vjetër qytetare, kurse vitin e kaluar u shndërrua në festival të muzikës së ehtë, ndërsa ky edicion sipas Kiserit ka qenë festival i karaokes./Lajm365
Lexo edhe: