Zgjidhja e Kurtit për grevën në arsim

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar situatën e grevistëve të arsimit. Ai ka bërë një krahasim në mes të pabarazisë dhe varfërisë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se situata është shumë e vështirë nëse të dyja palët kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë.

“Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbyesit politikë dhe jo shërbyesit publikë”, ka shkruar Kurti.

Tutje Kurti ka shkruar se  “Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre. Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim”.

Kurti është shprehur se “Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”. /Insjaderi.com