‘Zvicerani’ nga Prizreni që u arrestua për kultivim e shitblerje të narkotikëve ndalohet për 48 orë (FOTO)
Aksioni kundër drogës që u zhvillua sot në Prizren e Suharekë përfundoi me arrestimin e një personi dhe konfiskimin e rreth 150 gramë marihuanë. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se personi i arrestuar është Leotrim Qerimaj, i cili po dyshohet për kultivim dhe shitblerje të drogës.
Por kush është Leotrim Qerimaj?
Sinjalizues të Sinjalit bëjnë me dije se Qerimaj është 31-vjeçar dhe njihet në rajonin e Prizrenit si ‘zvicerani’. Ai dyshohet se që një kohë merret me shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve, për çka ishte objekt hetimi që rezultoi me arrestim.
Gjatë aksionit të sotëm, Sinjali mëson se u bastis banesa e tij në Prizren, si dhe shtëpia në fshatin Sallagrazhdë të Suharekë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal së bashku me provat e konfiskuara gjatë kontrollit policor në dy lokacionet ku u zhvilluar aksioni.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.