23-04-2024

Prizren: Vetëvendosje! kërkon që procesi për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave të kthehet në pikën zero

Vetëvendosje! në Prizren, të entjen ka shprehur shqetësim rreth gjendjes në arsim, sidomos rreth procesit të zgjedhjes së drejtorëve dhë zv/drejtorëve të shkollave.

Në konferencën për medie, kuvendarët lokal, Selman Sokoli e Faruk Tahiri në emër të Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Kuvendin Komunal, ndër tjera kanë theksuar se fatkeqësisht në Prizren është kthyer keq-qeverisja e modelit që ishte në komunën tonë nga viti 2007 deri në vitin 2017. Zgjedhjet e fundit lokale prodhuan një pushtet klientelist dhe pa program qeverisës, raporton Gazeta e Prizrenit.

Sipas tyre oferta e PDK-së nuk ishte për qytetarin, por për grupe të caktuara dhe klane të ndryshme, prandaj edhe qeverisja është në shërbim të favoreve të këtyre klaneve.
“Ka raporte shqetësuese për degradim tejmase të të gjithë procesit të përzgjedhjes së drejtorëve dhe zv /drejtorëve të institucioneve paraunversitare publike edukativo-arsimore në komunën tonë”, ka thënë Sokoli.

Ndër të tjera ai shpjegoi gjithë kronologjinë e shkeljes së udhëzimeve dhe ligjeve në fuqi gjatë këtij procesi, duke filluar nga propozimi i anëtarëve të Komisionit Përzgjedhës nga Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Prizren e deri te nënshkrimi i vendimeve për emërim në pozitat e drejtorëve dhe zv. drejtorëve nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

Sokoli theksoi se, “duke pasur parasysh faktin se lidhur me këtë proces ka hetime edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka një Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe duke marrë parasysh faktin se kohët e fundit kishte edhe një audioincizim të njërit nga anëtarët e komisionit përzgjedhës, që tregonte mënyrat e manipulimit me proces përmes “trikeve”, kërkojmë që në mënyrë që të mos cenohet edhe më shumë imazhi i arsimit në komunën tonë, anëtarët e komisionit përzgjedhës që janë të dyshuar për keqpërdorime e manipulime të japin  dorëheqje dhe procesi të kthehet në pikën zero”.

Faruk Tahiri ndërkaq, theksoi se procesi nga fillimi nuk ka qenë transparent, kandidatëve i janë humbur edhe dokumentet e konkurrimit dhe ka pasur edhe anulim të konkursit vetëm për t’i hapur rrugë kandidatëve të caktuar.

Sipas tij, shihej qartë që kishte favorizim të kandidatëve të caktuar ashtu edhe siç e kemi dëgjuar në audioincizim.
“Me këtë vërtetohet se ky kryetar është pazargji, a dhe duhet të mos jetë kryetar i komunës edhe më tutje”, tha Tahiri.

Ndryshe LVV ka dorëzuar edhe Kallëzim penal në Prokurorinë e Prizrenit ndaj disa zyrtarëve komunal për arsim rreth Konkursit për drejtorë dhe zv/drejtorë shkollash./ GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.