400 mijë euro për kompensimin e dëmeve nga vërshimet në Mamushë

Komuna e Mamushës ka bërë të ditur se ka mbaruar afati për aplikim për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

“Nga vërshimet e fundit fermerët e Mamushës kanë pësuar shumë humbje”, ka thënë kryetari Abdylhadi Krasnic, duke shtuar se nëpër Mamushë kalojnë dy lumenj, Toplluha dhe Tërnja. “Arsyeja kryesore për dëmtimin e kulturave të kultivuara në serrë dhe në fushat e hapura të qytetarëve burojnë nga mospastërtia e shtretërve të këtyre lumenjve”, ka deklaruar Krasnic.

Sipas tij, Komuna është duke hartuar një projekt, me të cilin parashihet që grykat e lumenjve të zgjerohen, si dhe të rregullohet shtrati i lumit me mure prej betoni, guri, shtegu për këmbësorë dhe ndriçimi, shkruan sot Koha Ditore.

“Dua t’ju njoftoj se jemi gati të bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që përmbytjet të mos ndodhin më. Mjafton që në Mamushë mos të shkaktohen më këso lloj dëmesh. Ne pasi ta përfundojmë projektin do ta dorëzojmë në Ministri, pasi që ky projekt kërkon një buxhet të madh dhe ne si komunë nuk kemi buxhet të mjaftueshëm. Unë kam vërejtur nga Kadastra që lumi Tërnja në disa vende është i gjerë 50 metra. Nëse mund ta lëmë këtë grykën e lumit të hapur për 50 metra shpresoj se nuk ka me pasë më përmbytje të ujit”, ka deklaruar Krasnic.