23-11-2024

Sa ankesa janë dërguar për faturat e larta të dhjetorit? Flasin nga ZRRE

Pakënaqësi me faturat e fundit të energjisë elektrike kanë shfaqur qytetarët e vendit.

Shumë prej tyre këto pakënaqësi i kanë shfaqur duke i publikuar faturat nëpër rrjete sociale.

Ata janë ankuar se fatura e këtij muaji është shumë më e lartë se ajo paraprake, ndonëse thonë se kanë shpenzuar njëjtë.

Por, pavarësisht kësaj deri më tani nga konsumatorët në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) janë dërguar vetëm 12 ankesa.

“Sa i përket ankesave për faturat e fundit, ju informojmë se deri më sot janë pranuar 12 ankesa të konsumatorëve”, thuhet në përgjigjen e ZrRE-së për Front Online.

Pas ankesave të qytetarëve KESCO gjatë së mërkurës ka dalë me një reagim duke thënë se deri më tani 400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët, dhe se 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€.

“Pra, nga numri total i leximeve, del që vetëm 14% e konsumatorëve kanë fatura 100€ ose më tepër”, thuhet në njoftim. Ato fatura që janë në shpenzim më të madh, bëhet fjalë për dy shërbime në një, pra për furnizim me energji elektrike dhe për ngrohje”, thuhet në reagimin e KESCO-s.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, të mërkurën kërkoi që për dyshimet, qytetarët që t’i drejtohen KESCO-s.

“Qytetarët nënkuptohet se duhet t’i drejtohen menjëherë furnizuesit në këtë rast KESCO-s, por nëse nuk ka një përgjigje të mirëfilltët edhe Zyrës së rregullatorit për energji”, ka deklaruar Kusari-Lila.

E nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, kërkon që ZRRE-ja t’i shqyrtojnë tarifat e energjisë.

“Është kërkesë imediate që Qeveria, bashkë me ZRRE-në, të fillojnë urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjitha akterët që kanë abuzuar me situatën në sektorin e energjisë”, ka thënë Ismaili.

Për faturat e dhjetorit për Front Online ka folur edhe avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Ai ka thënë se do të kërkojnë sqarim nga ZRrE-ja.

“Pa dyshim që është shkelje, faturat në raport me konsumatorin për shërbimet e kësaj natyre gjithmonë kanë qenë transparent, duhet edhe me përshkruar natyrën e rritjes, nëse ka pas rritje. Për me e vërtetu këtë neve na duhet me hetu. Po besoj që ditëve në vijim kemi me iu drejtu ZRRE-së, edhe kemi me marr një përgjigje”, tha ai për Front Online.

Me reagim për këtë çështje ka dalë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht./Front Online/

Asnjë koment

Comments are closed.