18-04-2024

Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

Një çantë që dikur i takonte Valon Hotit, një 16 vjeçar nga fshati Krushë e Madhe në perëndim të Kosovës, është sot pjesë e muzeut kushtuar masakrës në këtë fshat. Valoni ëndërronte të bëhej mjek, po ëndrra e tij mbeti e papërmbushur meqë me 25 mars të vitit 1999, ai bashkë me rreth 250 persona të tjerë u vranë nga forcat serbe. Muzeu është plot me artefakte e rrëfime që kujtojnë ngjarjet e asaj dite.

“Këtu kemi diku mbi 60 artefakte, janë grumbulluar edhe disa më shumë por të ekspozuara nuk janë të gjitha sepse ka material të ndjeshëm shumë. Janë edhe ekranet të cilat i paraqesin intervistat, 202 intervista të marra prej fshatarëve nga profesorët. Intervistat janë të përkthyera edhe në gjuhën angleze dhe serbe dhe çdokush ka mundësi t’i dëgjojë, tre televizorë të mëdhenj pandërprerë transmetojnë këto dëshmi”, thotë Irfon Ramadani, i cili punon si ciceron në këtë muze.

Lexo Edhe:

Sekuestrohen rreth 13 mijë litra karburant jo cilësor

Njëzet e pesë vjet më parë, ndërsa NATO-ja po zhvillonte një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe, ajo në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.

Masakra e Krushës së Madhe është ndër më të rëndat sipas veprimtarëve humanitarë. I mbijetuari i masakrës, Milazim Duraku, rrëfen për Zërin e Amerikës kujtimet e saj.

 “Ato dy ditë pamë vrasje, përdhunime, vrapime, ikje, kallje, gjithçka pamë e ato janë kujtime që nuk harrohen kurrë, kurrë nuk harrohen..”, thotë Milazimi.

Ai thotë se forcat serbe hynë në shtëpinë e tij dhe i vranë vëllanë Nuhiun dhe i morën vëllanë tjetër, Aliun.

Milazimi kishte arritur të fshihej në çatinë gjysmë të djegur të shtëpisë duke i marrë me vete edhe shtatë djemtë e vëllezërve.

“Nuk guxonim të dilnim prej tavanit së fëmijët mu lodhën kur u bënë dy ditë pa pi ujë e pa ngrënë. U bënë tri ditë njësoj, e katërta ditë – ata veç nisën edhe sytë ti mbyllnin. Më i vogli ka qenë 14 vjeç, ai vetëm mi shikonte mua sytë se kur po i them të dalim, më shikonte në sy.. dhe vendosa e ju thash ‘qohuni dalim, ja gjallë ja vdekë dalim”, rrëfen Milazimi.

Qëllimi parësor i tij ishte t’i ushqente fëmijët.

“Kur shkova në një shtëpi gjetëm bukë, gratë kishin gatuar një bukë dhe e kishin lënë mbështjellur. Por kur e mora bukën e ua dhashë fëmijëve nuk mund të hanin. E mora një kovë nuk shihja nëpër errësirë, ajo kishte qenë e djegur dhe e mbusha me ujë, në të kanë pi fëmijët ujë, ju erdhi shpirti pak”, thotë ai.

Milazimi thotë se mes shumë vështirësive arriti të bashkohej me pjesën tjetër të familjes, prindërit, gruan dhe gratë e vëllezërve dhe bashkë kishin ikur në Shqipëri.

Në fshatin e tij, ai u kthye pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Menjëherë kishte nisur t’i kërkonte trupat e vëllezërve dhe njërin prej tyre e gjeti në afërsi të shtëpisë.

“Po e shohim këtu te bregu menjëherë një peshqir dhe një orë dore varur, kjo është ora e vëllaut thashë. Ai që e kishte varrosur është i Piranës – ushtar i UÇK-së, e ka njohur vëllain sepse kanë punuar bashkë në kooperativë. E ka varrosur dhe orën e ka lënë për ta parë ne kur të kthehemi”, rrëfen ai.

Por, 25 vjet më pas, Milazimi ende nuk di asgjë për fatin e vëllait tjetër, Aliut, i cili është në mesin e mbi 60 personave ende të zhdukur nga kjo masakër.

“Kjo është më e vështira.. djemtë e tij ikën nëpër Francë e Gjermani e Austri, vajzat njësoj, shtëpia u boshatis. Kunata gjithmonë më pyet a ka diçka të re, ajo qëndron me vajzat, i them jo kunatë nuk ka asgjë, por gjithmonë mban shpresë. Deri para disa viteve, ka ardhur këtu në përvjetor të varri i vëllait tjetër, për ta shfryrë mllefin te kunati bashkë me vajzat..po u bëka njësoj njeriu, sikur kur merr ndonjë dozë të fortë janë bërë njësoj krejt pa prind.. mua më kanë munguar shumë”, thotë Milazimi.

Fotografitë e tyre janë pjesë e muzeut të masakrës në Krushë të Madhe, i cili në ditën e inaugurimit u vlerësua nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, si pjesë thelbësore e drejtësisë kalimtare e cila synon që të trajtojë të kaluarën dhe të ndërtojë themelet për një të ardhme të shërimit dhe pajtimit.

Ai tha se NATO-ja ndërhyri 25 vjet më parë për t’i dhënë fund luftës e spastrimit etnik në Kosovë pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. 25 vjet pas saj ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave. /VOA

Asnjë koment

Comments are closed.