22-05-2026

Dallaveret me kredi: Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për dy zyrtarët bankarë

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve U.Z., dhe K.K., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas kërkesës, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë bankarë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar autorizimet e tyre me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke dëmtuar të dëmtuarën R.L. nga Prizreni. I pandehuri U.Z., në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të kredisë nuk e ka njoftuar të dëmtuarën dhe ka liruar mjete financiare në shumë prej 24,000 euro nga llogaria e saj pa dijeninë e saj, ndërsa i pandehuri K.K., në cilësinë e analistit të kredisë, ka ekzekutuar transferin e mjeteve në llogaritë e dy bizneseve nga 12,000 euro për secilin.

Me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur, të dëmtuarën e kanë ngarkuar me kredi fiktive në vlerë prej 25,000 euro dhe procedurë përmbarimore, duke i shkaktuar dëm material në të njëjtën shumë.

Lidhur me rastin, janë kryer bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale, të rëndësishme për zhvillimin e procedurës hetimore.

Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligji.

Asnjë koment

Comments are closed.