24-11-2024

A do të ketë ndryshim në kabinetin e kryetarit Haskuka?

Në ekzekutivin lokal të Prizrenit, të drejtuar nga kryetari Mytaher Haskuka paralajmërohet ndryshim, në njërin ndër sektorët më të rëndësishëm të qeverisjes.

Sipas burimeve të portalit “GazetaePrizrenit”,  fjala është për sektorin e Kadastrit dhe Gjeodezisë.

“Pritet që të hënën në krye të këtij sektori të vije një persona nga Malisheva”, tha për “Gazetën e Prizrenit” një burim i besueshëm me kusht anonimiteti.

Në anën tjetër, në një postim në “facebook”, anëtari i Kuvendit Komunal nga AAK, Ilir Baldedaj, ka shkruar se Alban Krasniqi, burri i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së shpejti pritet të emërohet në pozitën e drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit në Prizren.

Nëse do të ndodh ky ndryshim, atëherë nuk dihet nëse drejtoresha e deritashme për KGJ, Nora Kelmendi që u mor nga Prishtina, do të vazhdojë si pjesë kabinetit të Haskukës në ndonjë sektor tjetër, apo do të largohet.

Që nga qeverisja e Haskukës së VV-së, prej 3 vjet e gjysmë, në njërin nga sektorët më të rëndësishëm komunal, në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër janë emëruar tre drejtorë, njëri prej të cilëve, Refik Shaqiri nga partia e komunitetit boshnjak NDS, është tërhequr pas ngritjes së aktakuzës për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”.

Pas tij këtë sektor e ka drejtor Bajrush Sezairi,  që më pas është zëvendësuar nga Kelmendi.

Në anën tjetër, opozita e ka kritikuar Haskukën se në mungesë të kuadrove është përballur me sfida në rekrutimin e stafit, duke marrë kuadro të Vetëvendosjes jashtë  Prizrenit. /GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.