A do t’ia marrin terminalin djalit të Isa Mustafës? Përgjigjet Glauk Konjufca
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur reth marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kur tash kanë mbetur edhe dy ditë deri në konstituimin e kuvendit.
Konjufcës në këtë debat i është bërë edhe pyetja në lidhje me një shkrim në rrjetin social nga Albin Kurti, i cili ka thënë se beteja më e shkurtër e kësaj qeverie do të jetë ajo e kalimit të terminaleve doganore të privatizuar te shteti demokratik i Kosovës. Një terminal të tillë e ka edhe djali i Isa Mustafës – të parit të LDK-së, i cili e kishte marrë licencë gjatë qeverisjes së babait të tij, pra gjatë qeverisjes Mustafa.
“Unë mendoj që terminalet doganore nuk duhet të jenë private. Nëse vijmë në pajtim me LDK-në se terminali si koncept nuk duhet të jetë privat, ne do të vijmë deri të konstatimi dhe do ta bëjmë atë”, ka thënë Konjufca.
Po nëse nuk pranon LDK, Konjufca u shpreh i gatshëm që mund edhe ta prishin qeverinë, ndonëse një e tillë ende nuk është bërë.
“Nëse nuk pranon LDK, ne do ta prishim qeverinë. Por, VV nuk do ta ketë stilin të marr vendime të njëanshme.”, u shpreh ai në Debat Plus.