20-04-2024

A do t’ju kthehen paratë që kanë paguar kosovarët për rezervimin e dasmave në restorante?

Pas paralajmërimeve se këtë verë mund të mos ketë organizime të dasmave e ahengjeve të tjera familjare, për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19, shumë qytetarë janë shprehur të shqetësuar pasi tashmë kanë rezervuar restorantet dhe kanë paguar avanc, për dasmat e tyre ose ahengjet të ndryshme familjare.

Ata kanë paguar shuma nga më të ndryshme avanc nëpër restorante e hotele të Kosovës , por që nuk dihet nëse do t’i marrin mbrapsht ato para nëse merret vendim për anulimin e dasmave dhe ahengjeve.

Një qytetar ka thënë për lajmi.net se i kanë paguar 500 euro avanc për dasmën të cilën kanë menduar ta mbajnë në korrik.

Mirëpo, ai thotë se nuk e di nëse do t’i marrin përsëri paratë që i kanë paguar, nëse nuk mund ta mbajnë dasmën. Madje thotë se ka person që kanë paguar edhe nga mbi 1 mijë euro avancë.

“I kemi paguar 500 euro në momentin kur e kemi rezervuar dasmën për në korrik. Kam dëgjuar se kjo shumë caktohet varësisht nga shuma totale për rezervimin e sallës, si dhe varet edhe nga vlera e menysë. Nëse nuk mund ta mbajmë dasmën, nuk e di nëse do t’i marrim përsëri paratë. E di qe ka persona të tjerë që kanë paguar edhe nga mbi 1 mijë euro”, ka thënë D.Sh, qytetar nga Prishtina për lajmi.net.

Mirëpo Visar Demolli, nga shoqata e Hotelierëve të Kosovës thotë se në bazë të marrëveshjes mes pronarëve të restoranteve ose hoteleve dhe dasmagjive, ose shtyhet data ose atyre ju kthehet avanci.

“Ne sot në ora 12 ishim në takim me zëvendësministrin e Tregtisë dhe nuk qëndron ajo që është deklaruar nga ministri Vitia, është keqinterpretuar ajo deklaratë, qysh e argumentojë zëvendës ministri. Nuk ka vendim që të mos mbahen dasmat këtë vit. Pra, nuk ka vendim përfundimtar. Këtu po shifet që mundësia shumë e mirë është që edhe ne te jemi në fazën e tret, pra që fillon me me 2 qershor. Krejt varet prej neve se çfarë masa kemi me marrë si pronar, si hotelier, si pronar restoranteve e të tjera çka lidhen direkt me neve. Kështu që për këta muajt prill, maj, qershor çka janë. Këto sigurt që kanë bërë marrëveshje pronarët e restorante direkt me dasmagjit. Kanë bërë marrëveshje ose për shtyrje e datës ose për ose ju ka kthyer avanci ose kapari”

Ai është i bindur se sezoni i dasmave do të fillojë me 1 korrik

“Po normal që i kthejnë besojë që i kthejnë ato se nuk ka asgjë të keqe aty. Po ne po shpresojmë se s’ka me ndodh ajo hiç. Nga 1 korriku jemi të sigurt dhe jemi optimist që kanë me fillu dasmat. Po me masa qysh i parashohim ne dhe kjo varet edhe prej IKSHPK-së”, ka thënë Demolli.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, ka marrë vendim për lehtësimin e masave në tri faza. Faza 1 nga 4 maj deri 18 maj, faza 2 18 maj deri me 2 qershor dhe faza 3 nga 2 qershori deri në vendimin e radhës. /Lajmi.net/

Asnjë koment

Comments are closed.