16-05-2024

A e ka hequr Prizreni epitetin “kryeqytet i prostitucionit”?

Referuar zyrtarëve policor, së fundi Prizreni jo vetëm që ka zbehur shumë epitetin e të qenit “kryeqytet i prostitucionit” në vend, të fituar pas lufte, sidomos në pesëvjeçarin e parë të saj, por tashmë mund të thuhet se 99 % e lokaleve të dyshuara janë mbyllur, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Përmes një komunikate për media, është njoftuar se Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (DHTQNj), në kuadër të Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Njerëz, sapo pa ka filluar fushatën njëmujore kundër trafikimit me njerëz. Në Prizren ekziston njësiti për trafikim me qenie njerëzore, që vepron në kuadër te Departamentit përkatës në Prishtinë.

Pos epitetit si Kryeqytet historik të Kosovës, të marrë këtë vit nga Parlamenti i Kosovës, Prizreni në vitet e para të çlirimit, pat marrë edhe epitetin “kryeqytet i prostitucionit”. Kjo, siç ishte thënë  për shkak të rasteve të kësaj natyre atë kohë.

Në qytetin afër kufirit me Shqipërinë, e jo aq larg Maqedonisë, për shkak edhe të rrethanave të njohura të luftës e të pasluftës, mungonte një mbikëqyrje e duhur, ndërsa njerëzit lëviznin edhe pa dokumente personale, të cilat ua kishin konfiskuar paraushtarakët serbë.

Pas lufte, kanë qenë të dyshuara diku rreth 90 kafene. Me dyshimin për implikim në rrjetin e trafikimit dhe të prostitucionit, në pranga kanë përfunduar persona të shumtë, ndërsa disa lokale janë mbyllur. Krahasuar me vitin paraprak, në shkurt 2007, policia raportonte për rritje deri në 33 % të kësaj dukurie.

Femra të dyshuara viktima të prostitucionit janë gjetur jo vetëm nëpër lokale, por edhe në rrugë, derisa të frikësuara kanë provuar t’i ikin rrjetit, sikur kanë ndodhur rastet në rrugët qendrore ”Zahir Pajaziti” e “De Rada” të Prizrenit. Numri më i madh i personave të ndërlikuar në këtë rrjet ishin kosovar, përfshirë edhe ndonjë shtetas nga Shqipëria, derisa shumica e femrave të dyshuara ishin nga Bullgaria, Moldavia, Shqipëria dhe Kosova. Femrat e trafikuara kanë qenë të reja, nga 21-35 vjeçare, ndërsa ka pasur edhe raste kur ato kanë qenë të moshës së mitur, 15 -16 vjeçare.

Por, së paku pesë vitet e fundit duket tjetër gjendje. Mbështetur në raportime të policisë, gjithnjë e më pak njoftohet për arrestimin e personave, shkaku i kësaj dukurie, të përhapur vitet e pasluftës, derisa kontrollin në këtë fushë e drejtonte Polica e Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Një shofer taksie, që preferoi të mbetet anonim, që punon afër stacionit të autobusëve, tha se tek lokacioni “shtrumfat” shumë rrallë, sheh femra, të cilat i duken  si prostituta. “Ato i njihnim jo vetëm nga pamja, por edhe nga stili i veshjes dhe gjuha tyre, bullgare apo moldave, etj”, tha ai.

Drejtori i Policisë rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, tha për “GazetaePrizrenit.net”se pas shumë planeve operative për parandalim, 99 % lokaleve të dyshuara kanë shuar veprimtarinë. “Si të dyshuara ende janë vetëm tri lokale, të cilat vazhdimisht mbahen nën vëzhgim të policisë. Gjatë kontrollimeve nuk është gjetur gjë, por dyshojmë se ka femra vendore të dyshuara”, ka thënë ai

Ndërkaq, një auto-taksist tjetër i prezantuar si “Baci” teksa vozit “benzin” , rënien e prostitucionit e sheh të zhvendosur nga lokalet hoteliere në vende më të lira për nga kostoja, siç thotë ai në bujtina e të ngjashme. ”S’ka pare vëlla. Janë në krizë edhe afaristët, janë bllokuar tenderat. Këtë vit shumë pak kemi pasur kliente femra me destinacion motelet”, ka thënë ai për “GazetaePrizrenit.net”.

 

Asnjë koment

Comments are closed.