Aktakuzë për falsifikim të parave ndaj pesë kamerierëve në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., gjatë periudhës së muajit tetor e deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje ka poseduar para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.
“Në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur ia shet të pandehurit T.P., 1,250.00 € të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 € duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300.00 € falso paguan 200.00 € origjinale, ndërsa herën e dytë për 400.00 € falso paguan 300.00 € origjinale derisa në herën e tretë për 550.00 € falso paguan 400.00 € origjinal ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1,250.00 € falso për 900 Euro”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë periudhës kohore nga muaji tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta.
“Në cilësinë e punëtorëve si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar – blerë nga i pandehuri B.B., ia dorëzon kolegëve të tij – të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘VW Polo’, e parkuar ne bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë më pas iu dorëzon kolegëve të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., të gjitha në monedha metalike nga 2 €, të cilat të njëjtit i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 € (njëzet e pesë euro) origjinale në pjesë të barabarta”, thuhet tutje në njoftim.
zbatimit të urdhër-kontrollit të Gjykatës nga ana e policisë, arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 € në veturën ‘’VW Polo’’ në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve V.Z., L.E., dhe A.P., ku në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390.00 € falso.
Në këtë mënyrë, të pandehurit e lartëcekur kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).