18-04-2024

Ansambli “Mati” nga Burreli, fitues i festivalit “Hasi jehon 2018”

Me ndarjen e çmimeve për ruajtësit më fanatikë të folklorit burimor, mbrëmjen e së shtunës, në Gjonaj të Hasit, u mbyll edicioni i 29 i festivalit “Hasi jehon”.

I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të Rajonit të Hasit dhe i quajtur dasma hasjane, sot festivali “Hasi jehon” është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë e dëshmon pjesëmarrja e organzimave kulturorë nga e gjithë gjeografia shqiptare.

Juria në përbërje Sami Piraj, Dilaver Kryeziu, Hisen Dida dhe Shaqir Hasi, çmimin “Malësori” për programin më burimor ia ndau Ansamblit “Mati” nga Bureli i Shqipërisë.

Çmimi “Malësorja iu nda SHKA “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova, ndërsa çmimi “Lahuta” Ansamblit autokton “Rugova” nga Rugova. Çmimi Nazmije Hoxha i takoi Vlora Durakut nga Krusha e madhe.

Drejtuesit e festivalit, në përmbyllje, premtuan se vitin e ardhshëm kur edhe është edicioni i 30-të, do të ketë angazhim për një organizim shumë më të mirë.

Në emër të jurisë Sami Piraj tha se “festivali Hasi jehon ka arritur ti krijojë konturat e një  manifestimi jashtëzakonisht të rëndësishëm të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të trashëgimisë të cilat janë bartur brez pas brezi si identitet kombëtarë”. Ai tha se juria nuk e kishte të lehtë por shtoi se vendimet i kanë peshuar me elementet e trashëgimisë.

Përveç tri çmimeve kryesore juria ndau edhe këto çmime: Instrumentisti më i dalluar : Baki Xhaferi nga SHKA “Anadrinia” nga Dejni i Rahovecit, Orkestri më i mirë : Ansambli “Mati” nga Burreli, Grupi i rapsodëve: Grupi polifonik nga Gjirokastra, Rapsodi më i dalluar: Selajdin Miftari, Rituali më objektiv:  Ansambli “Romaja”, Kostumet me autoktone : Ansambli “Romaja”, Loja popullore : Ansambli “Rapsha” nga Tuzi.

Koreografia më e dalluar: “Shqiponja” nga Shkupi, Valltarja e dalluar: Shkurte Dauti  nga Ansambli “Kruma” nga Shqiperia, Valltari i dalluar: Zekirija Kadriu nga ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova.

 

Asnjë koment

Comments are closed.