25-04-2024

Arrestohet “Curri” pronar i bastoreve dhe kazinove

Burimet e Koha Ditore marrin vesh se sot është arrestuar bosi i disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani, i njohur me emrin “Curri” nga Mitrovica.

Arrestimi është bërë para disa minutave në rezidencën e tij në lagjen “Marigona”.

Ai është pronar i disa bastoreve dhe kazinove tashmë të mbyllura në Kosovë.

Pas insistimit të Koha.net për të marrë një konfirmim, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se janë duke kryer një hetim të gjatë në disa lokacione dhe pas tij do të japin informacione.

“Mund të konfirmojmë se, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi të gjatë, është duke e realizuar një operacion policor i cili përfshin disa lokacione. Pas përfundimit të operacionit policor, mund të dalim me informacione shtesë”, ka thënë ai.

Mirëpo burime të Koha.net të cilët nuk kanë dashur të bëhen publik, e kanë konfirmuar arrestimin e tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, ndërkaq është raportuar se disa të tjerë janë arratisur.

Organized Crime and Corruption Reporting Project, në nëntor të vitit 2015 e pati përshkruar Osmanin si një nga njerëzit më të fuqishëm të krimit të organizuar në Ballkan.

Sipas OCCRP Ismet “Curri” Osmani themeloi kompaninë Dafina në Brno, qyteti i dytë më i madh në Republikën Çeke, që ndodhet rreth 100 kilometra në veri të Vjenës. Për një periudhë të gjatë kohore, kompania ishte e fjetur, por në gusht të vitit 2014, Osmani ia shiti pjesën më të madhe të shpërndarjes së tij, shokut të dhomës, Nikola Kužnini.

Në atë kohë sipas OCCRP-së, të dy Osmani dhe Kuznini jetonin në një shtëpi luksoze në Brezova Street në Brno. Ata e ndanin këtë adresë me Pjeter Nikollaj, i cili ishte nënkryetar i bordit drejtues të Paradise Casino Admiral- një rrjet prej 20 kazinosh që i përkasin grupit Novomatic me bazë austriake.

Asnjë koment

Comments are closed.