Arrestohet i dyshuari për therjen me thikë në një lokal në Prizren

Dy ditë më parë ka ndodhur një incident në një nga kafenetë e qytetit të Prizrenit, ku pas një konfrontimi verbal, një person është therur me thikë, raporton Gazeta Sinjali.

Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Faton Alija, tha për Sinjalin se lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i cili ishte arratisur nga vendi i ngjarjes.

Sipas Alijajt, i dyshuari ishte identifikuar menjëherë pasi ka ndodhur rasti, por që mbrëmë është arritur që të arrestohet.

Rasti ka ndodhë para dy ditësh. I dyshuari ka qenë i identifikuar dhe është arrestu dje”, tha ai.

Tutje Alija bëri të ditur se me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërkohë për shkak të lëndimeve të marra, viktima është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për të kërkuar ndihmë mjekësore.