02-11-2024

Atmosferë para ndeshjes  Bashkimi – Prishtina, apelohet për përkrahje korrekte

Tash kur ka mbetur pak më shumë se një orë deri në fillimin e finales në basketboll, në mes të “Bashkimit” dhe Sigal Prishtinës,  në orën 21:00,  në  Prizren ka nisur atmosfera dhe ethet nga takimi për titullin historik të kampionit, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Si zakonisht gjallërinë dhe frymën optimiste po e bëjnë simpatizantët e njohur si “Arpagjiktë”. Ata presin që Bashkimi të shpallet kampion dhe ta rrëmbejë titullin historik!

“Kryeqyteti historik i kulturës dhe traditës tanimë është gati. Edhe djemtë besnik të qytetit dhe shqiptarisë jemi gati. Presim fillimin e ndeshjes. Titulli kampion pa Arpagjik’t nuk bon! –kështu kanë shkruar ata,  në prag të fillimit të ndeshjes.

“Arpagjik’t” kanë ftuar të gjithë shikuesit të jenë prezent në sallë, duke i lutur  që të anojnë fer. “Sharjet dhe gjuajtjet në parket nuk i takojnë kulturës tonë qytetare. Në sallë do të ketë edhe shumë familjar dhe gjini femërore andaj kujdes me sjelljet. S’ka m’u nal! Bëjmë thirrje te krejt që 40 minuta të jemi në këmbë. Jo vetëm tribuna e Arpagjik’t  po krejt salla në përkrahje të klubit. Topi kur kalon te kundërshtari fishkëllima e domosdoshme”, kanë thënë ata.

Duke qenë optimist, ata kanë rekomanduar se pas përfundimi të ndeshjes dhe fitores krejt në kortezh nga qendra sportive përgjatë rrugës kryesore të nisen drejt sheshit Shatërvan”.

Pjesë e festës është edhe kryetari i Komunës së Prizrenit,  Mytaher Haskuka.  Zyrtarët e klubit të Bashkimit, në vazhdën e ftesave kanë bërë një vizitë edhe tek ai, duke i dorëzuar ftesën dhe rekuizitat e klubit.

“Për BASHKIMIN dhe PRIZRENIN bëhemi të gjithë së bashku! Sonte të gjithë pa asnjë dallim bëhemi bashkë për një qëllim! kanë shkruar ata.

Haskuka ndërkaq ka publikuar një foto me fanelën e Bashkimit dhe shallin e Arpagjik-ve.

Interesim për ta përcjellë finale që luhet në qendrën sportive kanë shfaqur edhe nxënës të shkollave të mesme. Paralajmërohet se ata në grupe do të jenë pjesë e atmosferës.

“Arpagjik’t” kanë publikuar një video, si model për atmoferën që duhet të jetë në “Sezai Surroi” ./Gazeta e Prizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.