26-11-2024

AUV dështon të gjej ose fsheh shkakun e ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha

Ditë më parë në lumin Mirusha, ka ndodhur një ngordhje masive e peshqve dhe për këtë qëllim inspektorati i Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me organet tjera kompetente, është angazhuar për gjetjen e shkaktarit të kësaj katastrofe ekologjike, duke dërguar për analizë edhe mostra të ujit, edhe të peshkut. Përkundër kësaj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe Laboratori i Ushqimit dhe Veterinës (LUV), pas shumë ditë pritjeje, ka dalë me një vlerësim të pasqaruar (për arsye që ata e dinë), duke mos treguar shkakun e ngordhjes masive të peshqve.

Në një kumtesë të KK të Malishevës, thuhet se për këtë qëllim, Komuna e konsideron dështim të AUV-së dhe të laboratorit, ose fshehje e shkakut të ngordhjes masive të peshqve në lumin Mirusha, pasi në rezultatin e analizave dhe në konkludimin e tyre, thuhet se ngordhja e peshqve nuk ka ardhur si pasojë e kontaminim me parametrat e testuar! Në këtë raport laboratorik, nuk sqarohet shkaku i ngordhjes së peshqve, prandaj ne e konsiderojmë ose dështim, ose tentim për fshehje të shkakut, sepse ne kemi kërkuar, edhe nga AUV edhe nga inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, që analizohet shkaku i ngordhjes së peshqve.

“Po ashtu, informojmë edhe organet tjera kompetente, edhe qytetarët e Komunës së Malishevës, si dhe peshkatarët të cilët peshkojnë në këtë lum, se inspektorati komunal, ka deklaratat e personave, apo të fermerëve që ne kemi dyshuar se pa dashje mund të jenë shkaktar të ngordhjes masive të peshqve”, thuhet në kumtesë.

Për të qenë më të qartë, inspektorati komunal i Malishevës, pas informacioneve të marra dhe pas gjetjes së disa gjurmëve në afërsi të lumit, ka kontaktuar pronarin e një ferme të pulave, nga i cili jemi informuar se ferma ka kontraktuar njësinë e “Hidroregjionit” në Malishevë, për të bërë zbrazjen e gropës septike të fermës, dhe duke u bazuar në këtë deklaratë dhe në gjurmët afër lumit, mbetjet organike të pularisë, janë derdhur në lum apo në afërsi të lumit.

Kur tani lidhet raporti i analizave, se peshqit nuk kanë ngordhur nga kontaminimi (që janë vetëm analiza kimike), që i bie se shkaktar mund të jenë mbetjet organike, por për të cilat nuk jep asnjë detaj analiza e LUV-së, dhe deklaratave që posedon inspektorati, e për të cilat është e njoftuar edhe Policia e Kosovës, por edhe duke u bazuar në bisedimet me zyrtarë të AUV-së, peshqit kanë ngordhur nga mungesa e oksigjenit në ujë, si pasojë e derdhjes së mbetjeve organike.

“Për këtë situatë të krijuar, publikisht kërkojmë që organet e rendit dhe organet përgjegjëse të hetojnë rastin dhe fajtorët të gjenden. Po ashtu kërkojmë që në këtë rast, krahas veprimit të njësisë së “Hidroregjionit”, të hetohet edhe veprimi i AUV, përkatësisht laboratorit të saj, se pse nuk është treguar shkaku i ngordhjes së peshqve”, përfundon kumtesa.

 

Asnjë koment

Comments are closed.