27-11-2024

Ballkani e fiton në tavolinë këtë ndeshje

Skuadra e Ballkanit e ka fituar ndeshjen me rezultat zyrtar 0-3 ndaj Ulpianës në takimin e vlefshëm për javën e 30-të. Kështu ka vendosur Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Komisioni i Garave e miratoi si të bazuar ankesën e Ballkanit rreth parregullsisë në këtë ndeshje nga ana e Ulpianës. Ulpiana e kishte aktivizuar në minutën e 80-të lojtarin Andi Arifin, i cili nuk ka qenë i regjistruar në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes.

Njoftim i plotë nga FFK-ja:

Vendim i Komisionit të Garave për ankesën e KF Ballkani

Komisioni i Garave i FFK-së, në përbërje: Abdyl Bellopoja-kryetar, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati-anëtarë, në seancën e vetë të mbajtur me datë 26.04.2022, duke vendosur lidhur me regjistrimin e ndeshjeve të javës së 30-të, si dhe të ankesës së ushtruar nga F.C. “Ballkani”, lidhur me parregullsinë e paraqitur në këtë ndeshje nga Klubi i Futbollit “ Ulpiana 1926”, Komisioni i Garave si Organ i autorizuar dhe kompetent, Konform Nenit 71 të Regullores së Garave, me datë 26.04.2022 mori këtë:

V E N D I M

MIRATOHET SI E BAZUAR – Ankesa e F.C. “Ballkani” nga Suhareka, dhe ndeshja e javës së 30-të e BKT Superligës së Kosovës ndërmjet K.F. “Ulpiana 1926” dhe F.C. “Ballkani” e përfunduar me rezultat 1:1, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të F.C. “Ballkani” nga Suhareka.

A r s y e t i m

Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 26.04.2022, ka regjistruar ndeshjet e javës së 30-të me rezultate të arritura në fushë, përveq ndeshjes së zhvilluar në Lipjan ndërmjet K.F “Ulpiana 1926” dhe F.C. “Ballkani”, për shkak se F.C. “Ballkani’ ka ushtruar ankesë përkitazi me parregullsinë e paraqitur në këtë ndeshje nga ana e K.F. “Ulpiana 1926”, konkretisht se, K.F. “Ulpiana 1926’’ ka aktivizuar në minutën e 80-të në lojë lojtarin me nr. 19 Andi Arifi me numër të ID-015013M03, i cili nuk ka qenë i shënuar-regjistruar në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes.

Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se:

Për Komisionin e Garave, sipas Nenit 71 Paragrafi 1 të Regullores së Garave janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën.

Sipas protokollit zyrtar lojtari me nr.19 i shënuar në protokoll ka qenë Fabrice Boudega me numër të ID – 01951M98, i cili nuk është aktivizuar në lojë, por në lojë është aktivizuar lojtari me nr. 19 Andi Arifi me numër të ID-015013M03, i cili nuk ka qenë i shënuar – regjistruar në protokollin zyrtar të ndeshjes dhe ky veprim i K.F. “Ulpiana 1926”, ka qene i palejuar dhe i kundërligjshëm dhe aty ku ka kundërligjshmëri rezultati është nul, prandaj

Komisioni i Garave konform nenit 77, pargrafi 2, pika 8 të Rregullores së Garave e miraton ankesën e F.C. “Ballkani’’ si të bazuar dhe ndeshjen e javës së 30-të të BKT Superligës së Kosovës ndërmjet K. F. “Ulpiana 1926” dhe F.C. “Ballkani” e regjistron me rezultat zyrtar 3:0 në favor të F.C. “Ballkani” nga Suhareka.

Duke pasur parasysh të gjitha këto që u cekën më lart dhe duke u mbështetur në Rregulloren e Garave të FFK-ës u vendos si në dispozitiv të këtij arsyetimi.

Këshillë juridike:

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur mund t’i paraqesë ankesë Komisonit të Apelit të FFK-së shkalla e dytë, në afat prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së apo datës të dërgimit ne e-mailen zyrtare të klubit.

Kryetari i Komisionit të Garave
Abdyl Bellopoja

 

Asnjë koment

Comments are closed.