23-04-2024

Bashkimi kampion, për sa minuta u shitën biletat? (foto-video)

Bashkimi shkruan historinë në basketbollin kosovar. Ai u shpall kampion i Kosovës në basketboll për herë të parë në historinë e klubit.
Prizrenasit fituan ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 77:61 në serinë e katërt finale të “Play-Offit”, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në “Sezai Surroi”, që ishte mbushur pothuajse dyfish sa numri i ulëseve që ka.

Adhuruesit e basketbollit, të prirë nga simpatizuesit e njohur si “Arpagjikt” që qëndruan në këmbë, krijuan një atmosferë madhështore, që gjatë do të mbahet në mend.
Ekipi portokalli mbylli serinë 3-1 me ndeshje dhe kështu shpallet kampion i Kosovës për sezonin 2017/18.
Deri në periudhën e fundit, loja ishte dramatike dhe barabartë, pasi herë njëri e herë tjetri ekip kalonin në epërsi. Bashkimi mori dominimin në fund për të ikur në rezultat, të cilin e përmbylli me 16 pikë epërsi.

Në njoftimin e klubit thuhet se ka pasur interesim të jashtëzakonshëm për ndeshjen, ndërsa vetëm për 37 minuta janë shitur mbi 1000 bileta! Çmimi i një bilete ka qene 1 euro, ndërsa në parket ishte 3.
Nga qendra sportive, atmosfera është zhvendosur jashtë saj dhe rrugës deri në qendrën e qytetit, në shatërvan. “Arpagjikt” të cilët e nisën kremten një ditë para ndeshjes duke i dhënë qytetit, e sportdashësve optimizëm kanë ditur të krijojnë një festë të paharruar të gëzimit, raporton Gazeta e Prizrenit.net, që ditën e ndeshjes e ka vlerësuar si “Dita e Bashkimit”.

Për ta përcjellë ndeshjen ishin edhe zyrtarë të lartë lokal e qendror, përfshirë deputet, ministra dhe nëpunës të tjerë.  Po ashtu në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

E momenti më i paharruar ka qenë vërshimi i shikuesve,  kur gjyqtari ka sinjalizuar përfundimin e lojës.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.