Biblioteka e Prizrenit furnizohet me libra nga ana e Komunës
Komuna e Prizrenit ka ndihmuar Bibliotekën e qytetit në Prizren me mbi 2.800 libra prej 325 titujve të ndryshëm, duke filluar nga lekturat shkollore e deri tek librat shkencorë, që do t’i shërbejnë nxënësve, studentëve, dhe të gjithë qytetarëve.
Në njoftimin e Komunës, thuhet se furnizimi i Bibliotekës me libra është mundësuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq përzgjedhja e titujve është bazuar sipas kërkesave të lexuesve të rregullt të bibliotekës.
“Përveç Bibliotekës së Qytetit, që gjendet në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, këto libra do të jenë në dispozicion edhe të lexuesve në bibliotekat e fshatit Gjonaj, Zym, si dhe lexuesve të 22 fshatrave të komunës nëpërmjet shërbimit të libërbusit. Kjo është hera e parë që Biblioteka e Qytetit furnizohet me libra nga ana e Komunës së Prizrenit”, thuhet në njoftim. /GazetaePrizrenit.net