Bizneset ankohen për mospërmbushje të premtimeve elektorale nga Haskuka

Ekzekutivi i Komunës së Prizrenit, të martën, para qytetarëve ka raportuar për realizimin e buxhetit dhe politikave të tjera publike në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Në anën tjetër qytetarët e lokaliteteve të ndryshme kanë paraqitur shqetësimet dhe kërkesat e tyre në raport me pushtetin lokal, ndërkohë që përfaqësues të caktuar nga komuniteti i biznesit kanë vënë në pikëpyetje jetësimin e zotimeve të dhëna gjatë fushatës paraelektorale nga kryetari Mytaher Haskuka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në hapje të debatit publik kryetari Haskuka ka prezantuar të dhënat për shpenzimin e buxhetit në gjashtëmujorin e parë.

Sipas tij, nga buxheti prej afër 45 milionë eurove janë shpenzuar mbi 16 milionë euro apo rreth 37 për qind.

Haskuka ka bërë të ditur se shpenzimet në kategorinë e pagave janë 40 për qind të planifikimit, në mallra e shërbime 41 për qind, në shpenzime komunale 32 për qind, në subvencione 40 për qind dhe në investime kapitale 32 për qind.