25-04-2024

Blerim Kuçi: Nëse opozita i bënë 61 vota le ta rrëzojë Qeverinë

Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, arrijnë t’i bëjnë 61 vota le ta rrëzojnë Qeverinë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme që të shkojë në zgjedhje.

Kështu ka deklaruar deputeti i kësaj partie Blerim Kuçi në një intervistë për KosovaPress, i cili thotë se detyrë e opozitës është të ngris mocion atëherë kur i kanë votat.

“Nëse ju kujtohet partitë opozitare këtë inicim apo tendencën për këtë inicim e kanë pasur prej fillimit kur është krijuar kjo Qeveri. Në mënyrë permanente janë thirrur që kjo Qeveri do të jetë shumë afatshkurtër, një muaj, gjashtë muaj, po kaluan dy vite dhe prapë jemi në proces. Pra, është detyrë po edhe e drejtë kushtetuese e opozitës për të ngritur një mocion kur ata konsiderojnë që i kanë votat. Arsye pse duhet ngritur janë diçka tjetër, po drejta e tyre kushtetuese ekziston në mënyrë permanente dhe mund ta ngrisin sa herë që i kanë votat. I duhen 61 vota për ta rrëzuar këtë Qeveri përmes mocionit”, tha ai.

Deputeti Kuçi vlerëson se AAK ka shënuar rritje të madhe. Ai thotë se në të gjitha sondazhet që janë bërë kjo parti dhe lideri i saj kanë dal në vendin e parë.

“Pas një viti punë organizatat më kredibile që bëjnë sondazhe e qesin Aleancën në rritje pothuajse të pabesueshme. Asnjë subjekt politik për një kohë kaq të shkurtër nuk ka pasur mundësinë me pas rritje si parti, sidomos është e rëndësishme çështja pas një viti punë e kryeministrit Haradinaj prej pozitës së katërt në sondazhet para se Aleanca ose z.Haradinaj të ishte kryeministër ka qenë vazhdimisht e katërta, tash në mënyrë permanente përmes këtyre sondazheve që nuk janë tonat po janë të institucioneve kredibile, kryeministri Haradinaj del si lideri më i votuar në krahasim me liderët tjerë të partive, ose herë herë i dyti. Kjo është një tregues që Aleanca në mënyrë permanente është gati të shkojë në zgjedhje nëse është e nevojshme”, deklaroi ai.

Ai tha se nuk i kërkojnë zgjedhjet pasi kryeministri Haradinaj ka ende shumë punë për të bërë, por që potencon se AAK-ja ka shënuar rritje të jashtëzakonshme.

Deputeti i AAK-së Blerim Kuçi, ka folur edhe për funksionimin e koalicionit qeverisës, për të cilin thotë se ani pse duket që ka probleme është duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne e kemi pasur një partner koalicioni, është Lista Serbe, ajo është larguar së paku në formën deklarative janë larguar prej këtij koalicioni. Unë e kam përshtypjen që ata kanë menduar që kur të jenë në një koalicion interesat e tyre kundrejt edhe funksionimit të shtetit duhet me qenë prezentë në këtë koalicion, normalisht që ju ka thënë jo dhe Lista Serbe nuk është në koalicion më. Ne shpresojmë që ne do të jemi të hapur në raport me ta, nëse ata ndryshojnë ose nëse kërkesat e tyre ndryshojnë ne do të jemi prapë në koalicion me Listën Serbe. Mirëpo, duke pasur parasysh edhe epilogun e dialogut është vështirë të mendojmë që Lista Serbe do të hyjë në koalicion para përfundimit ose epilogut të dialogut. Në raport me partnerët e tjerë, unë e mati jo si funksionon, por çfarë produkti jep. Në kuptimin e produkteve Qeveria është e njohur si Qeveri që ka lansuar shumë projektligje në drejtim të Kuven dit, asnjë Qeveri deri tash nuk ka lansuar më shumë projektligje sesa kjo Qeveri”, tha Kuçi.

Ai tha se kjo Qeveri ka përfunduar krijimin e Ushtrisë së Kosovës, ligjin për pagat,ligji për kryeqytetin.
Për propozimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që të formohet një komision parlamentar për pastrimin e listave të veteranëve, Kuçi tha se AAK është për çdo gjë që e dërgon përpara shoqërinë, por jo kur bëhen ato për përfitimin e partive politike.

“Këtë iniciativë duhet ta sjellin në Kuvend, nëse vije në Kuvend atëherë formohet komisioni i merr votat e duhura apo jo është çështje e Kuvendit, e deputetëve, sepse ajo nuk iu është drejtuar partive politike, po do t’i drejtohet së paku unë po mendoj që duhet t’iu drejtohet Kuvendit dhe Kuvendi do ta merr vendimin e vet. Nëse e formon këtë komision pse jo ne do të jemi pjesë e atij komisioni aq sa na takon të kemi anëtarë në atë komision dhe do të jemi shumë bashkëpunues”, tha ai.

Viti 2019 është shpallur si vit i ekonomisë nga Qeveria e Kosovës, megjithatë vendi vazhdon të shënojë rritje të ulët ekonomike, mirëpo deputeti Kuçi thotë se Qeveria Haradinaj ka krijuar një mori lehtësirash për bizneset e rezultatet e të cilave do të shihen në vitet në vijim.

“Ligjet e përshtatshme për investitorin dhe zbatimi i ligjeve. Pa këto të dyja është vështirë të themi dika tjetër, mirëpo në këtë ambient politik që është Kosova sot, sidomos rreth epilogut të dialogut normalisht që investitorët e huaj e presin edhe një kohë, se çka do të bëhet me Kosovën. Pak ato ndryshimet rreth presidentit, rreth Vuqiqit, rreth kryeministrit, e kanë krijuar një klimë bash jo të favorshme për t’u afruar investitorët e huaj”, tha ai.
Sipas tij, krijimi i disa zonave ekonomike, si ajo amerikane në Gjakovë, është një shtytje që investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.

Asnjë koment

Comments are closed.