24-11-2024

Bujqit në hall sa nga pandemia aq edhe nga breshëri, kritikohet Qeveria

Ka tri ditë që në vendin tonë po mbretëron mot i ligë i shoqëruar me reshje të shiut. Derisa në një pjesë të madhe, për dy net radhazi pati edhe shtrëngata e breshër.

Përveç që u përmbytën rrugë në qytete e fshatra, ky mot ka ndikuar edhe tek të mbjellat, një krizë kjo tjetër përveç asaj nga pandemia COVID-19, për bujqit e Kosovës, veçmas në Rajonin e Prizrenit me çka shquhet edhe kjo pjesë.

Ende nuk ka të dhëna nga institucionet gjegjëse për shkallën e dëmeve, që të dihet se saktë se sa do të jenë në humbje qytetarët. Një gjë të tillë e thotë për Indeksonline edhe Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Shkalla e dëmtimeve nuk dihet sepse duhet me ba sondazhe dhe jo i njëjtë ka qenë në të gjitha regjionet, p.sh diçka pak më shumë sipas asaj që kam parë është në Ferizaj e Prizren d.m.th pra, ka qenë pjesë-pjesë. Por, pavarësisht kësaj, dëmet është metodologji pune që mund ta caktojë qoftë Ministria e Bujqësisë, qoftë institucion tjetër.

Mendoj që shkalla e dëmeve është e konsiderueshme me një skepticizëm. Duhet me dalë ekspertë të fushave të caktume dhe m’i caktu në terren. Mendoj që tek drithërat mund të jetë një dëm më i vogël sepse dëmi do të ishte më i madh nëse gruri është nën formimin e kallirit të plotë.

Te pemët mund të jetë më i pjesshëm, tek perimet varet se në çka kanë qenë ato, në fusha të hapura apo serra. Dëmet më të mëdha mund të jenë tek misri që është mbjellë në afat të prillit, sepse tani jem në dekadën e dytë të majit”, tha ai.

Rusinovci kritikoi edhe Qeverinë në detyrë, duke thënë se s’ka bërë mirë kur ka shpërndarë bujqit në Rahovec, të cilët ishin duke i shitur produktet e tyre me distancë sociale.

“Në anën e kundërt produktet që kanë dalë në shitje ose presin me dalë në shitje varësisht nga periudha administrative të muajit, siç ishte rasti në Rahovec, mendoj që s’është punu sa dhe si duhet nga Qeveria rreth procedurave administrative, rreth atyre ligjore, të garantimit të një far forme, për shitjen e produkteve të tyre nëpër tregje të komunave të ndryshme.

Mendoj që ka qenë gabim ajo që i ka shpërnda, fermerët në Rahovec me ato tezgat që i marun për distancë sociale, nuk e kam kuptu shumë se pse i kanë shpërndarë, sepse ata e kanë të vetmin burim ekzistencial sepse duhet të mendojmë edhe për ta, sepse edhe ato pak prodhime që i nxjerrin bile t’i shesin. Vendet tjera që janë normale, e kanë një fond për fatkeqësi që duhet me iu dalë në ndihmë fermerëve.

Në këtë rast Ministria të reagojë në terren, qoftë në monitorim, qoftë në sondazhe apo mbështetje, aty ku janë dëmet më të mëdha”, thotë profesori universitar.

Ndryshe, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka deklaruar se ka kontaktuar me kryetarët e komunave të Suharekës, Prizrenit, Rahovecit dhe Mamushës për të u njoftuar rreth dëmeve të shkaktuara nga breshëri i mbrëmshëm.

“Do të formohen komisione të përbashkëta Komuna-MBPZhR për vlerësimin e këtyre dëmeve. Për herë të parë, MBPZhR ka të ndarë një buxhet rezervë prej 3 milion euro për mbulimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore gjatë gjithë vitit 2020; kjo është një shumë mjaft e vogël por do të punojmë ta shfrytëzojmë në mënyrë optimale për t’i përkrahur bujqit tanë sadopak”, ka njoftuar ai.

Edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, sot do të shkojë në Suharekë e Prizren, e vizita e tij ka të bëj pikërisht për dëmet pas shiut./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.