Dega e LDK-së në Prizren, sot ka paraparë mbajtjen e Kuvendit të IX zgjedhor, në të cilin do zgjedhet kryetari dhe kryesia e re, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Pas tërheqjes së kryetarit aktual, dr. Haxhi Avdylit në garë kanë mbetur Anton Quni dhe Driton Selmanaj. Kuvendit i duhet të zgjedh mes dy deputetëve të këtij subjekti.
Krahasuar me zgjedhjet parake të vitit 2013, në zgjedhjet e fundit të vitit 2017, LDK ka pasur rënie të votave.
Përfaqësimi i saj në Kuvendin Komunal (KK) ka rënë për 40 %, apo nga 10 në 6 asambleistë.
LDK tashmë është forca e tretë politike në Prizren. Për nga numri i ulëseve në KK, është pas PDK-së dhe Vetëvendosjes (VV).
LDK që në nivel lokal, në këtë mandat është në bashkëqeverisje me VV ka vetëm një anëtarë më shumë se sa partneri tjetër i koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemoktrate (NS).
Ish-kryetari Avdyli, që ka drejtuar degën për më shumë se 4 vjet e gjysmë, ka njoftuar se ndonëse nuk do të rikandidojë për një mandat të ri, do të jetë “kudo që kërkohet kontributi” i tij.
Në Kuvendin e sotëm do zgjedhen edhe 18 delegatë për Kuvend qendror. /GazetaePrizrenit.net /