Çfarë ndodhi me çmimet për ekskursionet e maturantëve prizrenas në Shqipëri?

Ndërkohë që disa nga maturantët prizrenas tashmë kanë nisur ekskursionin tradicional në Shqipëri, që organizohet në përfundim të shkollës së mesme, e disa të tjerë do të nisen në ditët e ardhshme, sivjet çmimet për këto aktivitetet janë të ndryshme.

Në këtë aktivitet zakonisht përfshihet një qëndrim 5-6 ditorë në Shqipëri, ku ndër tjera parashihen edhe vizita qyteteve, përfshirë Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, Beratin e gjetiu.

Derisa shkollat tjera në Prizren mesatarisht kanë paguar rreth 110 euro, maturantët e gjimnazit “Gjon Buzuku” kësaj radhe duket të jenë me fat. Kjo për shkak se sivjet ata do të paguajnë çmime më të lira, apo gati 30 euro më pak, për këtë ekskursion, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Për dallim nga vitet tjera, apo gati një dekadë sa çmimi për një maturant ka lëvizur  nga 104 -115 euro, ndërsa sivjet është 77 euro.

Gjimnazi ka edhe numrin më të madh të nxënësve, ndërsa përfshirë edhe paralelet në terren, mesatarisht ka rreth 650 maturantë.

 

Fituese e tenderit është shpallur kompania “Atmaxha”, që edhe viteve të tjera ka qenë realizatore e këtij projekti, ndërsa çmimi i saj sivjet ka qenë për 10 euro më i lirë se ofertuesi i dytë, radhitur sipas çmimit.

Për këtë, shumë kush shtron pyetjen se çfarë ka ndodhur kësaj radhe, kur për shkak të aplikimit të taksës rrugore, në Rrugën e Kombit, sivjet është pritur të ndodh e kundërta? /GazetaePrizrenit.net