20-04-2024

Çfarë po ndodh me konkursin për drejtorë në Prizren?

Konkursi për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë në Prizren, po paraqet sfidë të vërtetë për qeverisjen aktuale, të drejtuar nga Vetëvendosje dhe partnerët e saj në koalicion: LDK, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komunitetit turk e boshnjak.

 

Mospublikimi i rezultateve, tashmë kur kanë kaluar disa ditë nga përmbyllja e procesit të intervistimit, po demanton edhe deklarimet e autoriteteve komunale, përfshirë edhe vet kryetarin Mytaher Haskuka dhe drejtorin për Arsim Skënder Susuri, të cilët kishin premtuar azhuritet sa i përket procesit të përzgjedhjes.

 

Paralajmërimet e fillimit po dalin ndryshe, pasi end nuk ka ndonjë informacion se çfarë po ndodh. Kjo, ndërkaq ka shkaktuar spekulime të ndryshme nëpër shkolla dhe në opinionin tjetër arsimor e politik në Prizren.

 

Njohësit e rrethanave në shkolla dhe në koalicion flasin se janë dy shkolla të mesme, ato që e kanë vënë në siklet koalicionin. Persona të afërt me procesin, flasin se derisa në gjimnazin “Gjon Buzuku” bëhet fjalë për konkurrentë të VV-së dhe të Nismës, në shkollën e mjekësisë bëhet fjalë për dy kandidatë nga Nisma, për të cilët duhet vendosur.

 

Një burim me kusht anonimiteti ka thënë se Nisma që udhëheq Drejtorinë e Arsimit, po tenton të imponojë sa më shumë anëtarë të saj për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë.

Këtë informacion e kanë konfirmuar edhe drejtues të VV-së, njëherësh zyrtar të lartë në komunë. “Nëse kryetari Haskuka lejon që procesi të komprometohet, atëherë do të ketë reagime nga VV”, ka thënë ai për “gazetaeprizrenit.net.” me kushte anonimiteti.

 

Përkundër pyetjeve të dërguara rreth kësaj, kryetari i Nismës në Prizren, Zafir Berisha nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

 

Jozyrtarisht thuhet se çështja e drejtorëve dhe ndarja e hises, mund të ketë qenë shkak edhe i takimit të liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe Zafir Berishës, pikërisht të premten e kaluar, në festën e Bajramit në Prizren.

 

Në anën tjetër, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga LDK. I pyetur për procesin, as kryetari i degës, Haxhi Avdyli nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

 

“GazetaePrizrenit”, në një shkrim editorial të saj, që në fillim ka shkruar se pikërisht konkursi për drejtorë është testi i madh për kryetarin Haskuka, që ndër të tjera kishte premtuar depolitizimin e shkollave, duke sjellë menaxherë të dëshmuar profesional e jo militantë partiak.

 

Por, derisa ende nuk janë përzgjedhur drejtorët, nëpër shkolla, disa nga aplikantët vazhdojnë ta promovojnë veten si drejtor të ardhshëm.

E së fundi në kontekstin e zhvillimeve politike në Prizren është parë edhe një takim që ka ndodhur dy ditë më parë, në mes të Artan Abrashit nga VV dhe Nijazi Kryeziut nga PDK.

 

Mbase takimi edhe mund të ketë qenë siç është deklaruar i rastësishëm, një pjesë e opinionit qytetar megjithatë kanë paragjykuar për shkak të pozitës në të cilën ndodhet koalicioni qeverisës, sidomos tashmë kur duhet zgjedhur drejtorët e shkollave.

 

Pra, a mund të jetë ky edhe një mesazh për partnerët qeverisës të  VV-së? Kjo mbetet të shihet./gazetaeprizrenit.net/.

Asnjë koment

Comments are closed.