Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot do të mbajë konferencë për medie lidhur me rastin e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, Ertan Simitçi, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një veprim të tillë, duket se Haskuka e ka ndërmarrë pas disa reagimeve nga organizata të shoqërisë civile në Prizren, që i kanë kërkuar kryetarit të Prizrenit shkarkimin e drejtorit të akuzuar. Nismën e shtatë OJQ-ve e ka përkrahur edhe Ambasada Amerikane, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Nuk dihet nëse edhe kësaj here, Haskuka do të veprojë sikur në rastin e ish-drejtorit të Arsimit, Skënder Susuri, të cilin pikërisht në një konferencë shtypi, të thirrur në selinë e kryetarit, pat njoftuar për shkarkimin nga detyra, pas kërkesës së Nismës, parti kjo që e kishte deleguar Susurin.
Sipas burimeve të besueshme të portalit “Gazeta e Prizrenit”, pavarësisht reagimeve të përmendura më lartë përfshirë edhe ato të opozitës, në këtë rast nuk bëhet fjalë për shkarkim, por vetëm do të jepen disa sqarime, rreth asaj për të cilën është akuzuar Simitçi.
Haskuka sa ishte në opozitë kishte krijuar shumë qeverisjen e kaluar të PDK-së, duke premtuar se ai nuk do të mbajë drejtor me aktakuza.
Ertan Simitçiu, ish-drejtor i Ramadan Mujës, që ka vazhduar postin edhe në qeverisjen e Haskukës akuzohet për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në periudhën janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Ekonomisë dhe Financa, ai ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media. lidhur kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, ashtu që për tri televizionet, kontratat kanë arritur shumën prej 11.800 euro në vit për të transmetuar materiale të ndryshme për nevoja të Komunës.
Konferenca për medie e Haskukës do të mbahet në ora 12:00, në “Shtëpinë e Bardhë”. /GazetaePrizrenit.net