23-11-2024

Challandes: Shabani ka bërë zgjedhjen e tij

Meritan Shabani është një nga talentet e shumtë që po rrit klubi gjigant gjerman, Bayern Munchen dhe që po tërheq vëmendjen e mbarë botës.

Ndonëse vetëm 19-vjeç, ai ka debutuar që gjatë sezonit të kaluar në Bundesligë, ndërsa në verë zhvilloi një fazë përgatitore si protagonist.

Shabani luan me skuadrat e moshave të përfaqësueses gjermane, por kohët e fundit ka zgjuar një interes të theksuar të trajnerit të Shqipërisë, Christian Panucci dhe atij të Kosovës, Bernard Challandes.

“Realiteti është se Shabani nuk ka marrë ende një vendim, kjo është situata. Ai nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Këtë na ka komunikuar familja e tij”, deklaroi Panucci gjatë konferencës për shtyp të ditës së shtunë.

Por Challandes u shfaq optimist dhe i bindur se talenti i gjigantëve gjermanë, do të veshë fanellën e Kosovës, pavarësisht se nuk është ftuar ende për të qenë pjesë.

“Kam takuar familjarët e Shabanit dhe më kanë konfirmuar se lojtari do të luajë për Kosovën. Ky është vendimi i tyre. Bëhet fjalë për një futbollist të ri, me një të ardhme të ndritur, ndaj presim që të vijë dita, të debutojë me Kosovën”, deklaroi Challandes, transmeton SS.

Meritan Shabani ka luajtur me skuadrat e moshave të Gjermanisë, por për sa kohë që nuk ka luajtur me skuadrën e parë, mund të vendosë të zgjedhë se cilin shtet do të përfaqësojë në arenën ndërkombëtare./rtk

Asnjë koment

Comments are closed.