26-04-2024

Cilët janë “dhjetëshet” e Botërorit?

Numri 10-të është i veçantë dhe zgjidhet nga futbollistët më të mirë të ekipit. Më herët këtë numër e kanë mbajtur, Maradona, Pele, Zidane, Baggio, Rivaldo, Ronaldinho, Bergkamp e Matthaus, ndërsa në Rusi këtë vit në Botëror, vëmendja do të jetë te Messi, që e fitoi “Këpucën e Artë” pasi shënoi 34 gola në ligë me Barcelonën, dhe 45 në të gjitha garat të përcjella me 18 asistime.

Me Argjentinën, Messi ka luajtur në 124 ndeshje dhe ka shënuar 64 gola. Neymar pati lëndim të rëndë në thembër dhe pas 99 ditësh joaktive, u kthye në aksion për të luajtur të dielën e shkuar dhe për të shënuar një supergol. Muajt e parë në Paris Saint-Germain si numri 10-të i skuadrës për njeriun më të shtrenjtë në histori të futbollit nuk ishin të këqija, 28 gola dhe 17 asistime për 30 ndeshje, por se mungoi në muajt e fundit, transmeton Sporti në KTV.

Me Brazilin ka 54 gola në 84 ndeshje, dhe është shpresë për brazilianët në Rusi.

Thiago është 10shja e Spanjës dhe ka gjak braziliani. Është djali i Mazinhos, dhe shquhet për teknikën dhe kualitetet që ai posedon me top. 27-vjeçari ka shënuar 7 gola në 32 ndeshje me Bayernin këtë vit.

Mbappe, që është nën hijen e Griezmannit në Francë, si te PSG-ja nën hijen e Neymarit, 19-vjeçari padyshim se mbetet njëri ndër futbollistët më premtues. Në sezonin e parë me PSG-në, ai ka 21 gola dhe 16 asistime.

Salah do të jetë me Egjiptin në Kupën e Botës pasi do të shërohet nga lëndimi i shpatullës që e mori në Ligën e Kampionëve. Me Liverpoolin shpërtheu sivjet me 44 gola dhe kontribuoi me 16 asistime në 52 ndeshje. Me Egjiptin ka 33 gola në 57 ballafaqime.

Modriq, është truri i Real Madridit, dhe është edhe më i rëndësishëm në Kroaci. Luan si mesfushor i avancuar, dhe i mbush lojtarët tjerë me topa magjik që i jep nga çdo pjesë e fushës. Si 32-vjeçar, kjo mund të jetë Kupa e Botës e fundit për të, dhe dëshiron të lë gjurmë. James Rodriguez me Kolumbinë u zbulua në Botërorin e 2014-tës në Brazil.

Hazard është ylli i Belgjikës, ndërsa me Chelsean ka shënuar 17 gola në të gjitha garat sivjet. Ozil me Gjermaninë mbetet favorit për ta fituar garën.

Sterlingu me Anglinë është paraqitur në 36 ndeshje me përfaqësuesen e tij. Me Cityn sivjet ka shënuar 23 gola dhe ka dhuruar 17 asistime nën drejtimin e Pep Guardiolës. Mane mbetet futbollisti dhe ylli i vetëm i Senegalit.

Ai do të jetë udhëheqës i ekipit afrikan. 10 gola i ka shënuar në “Champions League”, dhe 20 në të gjitha garat. Eriksen do të jetë 10-shi i Danimarkës, me 14 gola dhe 13 asistime me Tottenhamin këtë vit, gjë që ka bërë të kërkohet edhe nga gjigantët spanjoll, Barcelona e Real Madrid.

Nga shqiptarët, i dalluari i mesufshës me numrin 10-të mbetet Granit Xhaka, mesfushori i Arsenalit që sivjet në të gjitha garat ka shënuar 3 gola në 48 paraqitje në të gjitha garat, por ka dhuruar edhe 8 asistime./koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.