Çmimi i testeve të COVID-19 në laboratorë privatë, AKK: Mos bëni marrëveshje në dëm të qytetarëve

Laboratorët privatë janë lejuar që të bëjnë testin për COVID-19, por ende s’është ndonjë çmim i definuar se sa do të kushtojë.

Për këtë çështje, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurencës, Valon Prestreshi, është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, njofton Klan Kosova.

Prestreshi është zotuar se do ta mbikëqyrin këtë proces për të mos pasë keqpërdorime nga laboratorët privatë.

Madje, ai iu bëri thirrje atyre që të mos koordinohen mes vete për të caktuar çmime në dëm të qytetarëve.

“Në takimin që zhvilluam me Ministrin Zemaj lidhur me licencimin e laboratorëve për testimet ndaj COVID-19, unë i ofrova Ministrit Zemaj garanci se Autoriteti i Konkurrencës do të jetë në gatishmëri të plotë për të mbikëqyrur këtë proces”.

“Sot, më lejoni t’iu bëj thirrje institucioneve të licencuara që në mënyrë të pavarur ta bëjnë caktimin e çmimeve të shërbimeve, dhe të mos bëjnë ndonjë marrëveshje mes vete në dëm të qytetarëve të vendit në këto kohë të vështira. Po ashtu, u bëj ftesë të gjitha institucioneve të cilat kanë ndonjë paqartësi eventuale lidhur me këtë proces, që t’i drejtohen Autoritetit të Konkurrencës për këshillim”.

Prestreshi tha se në fillimin e pandemisë pati dyshime se u shkel konkurrenca në produktet që u bënë ndër më të kërkuarat për qytetarët.

“Siç e dini, që nga ditët e para kur ka filluar përhapja e pandemisë në Kosovë, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë të gjitha masat që të parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës. Në këtë kontekst, ju njoftoj se gjatë muajit prill Autoriteti ka evidentuar dyshime për shkelje të konkurrencës në disa raste që kanë të bëjnë me shitjen e dezinfektuesve dhe alkoolit për përdorim mjekësor dhe sapo të kemi diçka të re në këtë drejtim do të ju njoftojmë”.