03-12-2024

DASH: Escobar nuk është shkarkuar, emërohet në një pozitë tjetër

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga detyra, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohe. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit amerikan i Shtetit.

“Zv/ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga detyra e tij. Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit amerikan për Zërin e Amerikës.

Reagimi i Departamentit të Shtetit vjen pas publikimit të lajmeve se Escobar është shkarkuar nga detyra për shkak të konfliktit të interesit si ndërmjetës në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mediet thotë se ai ka lidhje me Serbinë nga ana e gruas së tij.

“Është e papërgjegjshme të botohen gënjeshtra të tilla. Nxisim gazetarët të verifikojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza,” thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Dezinformimet, thuhet më tej në deklaratë, paraqesin një kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike.

“Ato helmojnë diskursin shoqëror, thellojnë ndasitë dhe paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tonë,” thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi thekson se Departamenti amerikan i Shtetit “fuqimisht mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rrugën për vendosjen e marrëdhënieve paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Uashingtoni është në të njëjtën linjë me partnerët evropianë dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në përkrahje të dialogut, përfundon njoftimi i zëdhënësit të DASH.

Asnjë koment

Comments are closed.