25-04-2024

Deformohet rruga e Hasit, Gjonaj-Bishtrazhin në gjendje të mjerueshme (foto)

Traseja e aksit rrugor Gjonaj-Bishtrazhin që lidh fshatrat e Hasit të komunës së  Prizrenit dhe asaj të Gjakovës, pothuajse është bërë e pakalueshme për qarkullim normal, ndërsa shmangia nga gropat e pengesat tjera rrezikon të shkaktojë aksidente,  shkruan “gazetaeprizrenit.net”.

 

Deformim i trasesë, copëza të krisura të asfaltit, gropa, kanale në mes rrugës, sikurse edhe pengesa të shumta prej betoni e asfalti,  në formë të policëve të shtrirë, karakterizojnë rrugën më të gjatë, që kalon nëpër Has.

 

Në gjendje të mirë nuk janë as urat, si ajo në Ramajë, dy urat afër Mullirit të Kushninit dhe ajo në Demjan. Ato zakonisht ndodhen në kthesa dhe janë tepër për të ngushta, ndërsa në to duhet lëvizur me kujdes të shtuar.

Deformimi i trasesë vërehet sapo hyn në këtë rrugën, në kthesën majtas tek Ura e Landovicës, në magjistralen që vazhdon për në Gjakovë.

 

Shefki Shatri, kryetar i fshatit Kushnin, thotë se qarkullimi nëpër këtë rrugë është kthyer në makth, ndërsa automjetet po pësojnë dëme. Ai tha për “gazetaeprizrenit.net” se pengesat e shumta dhe prishjet e asfaltit, kufizojnë shpejtësinë në 30-40 km.

Deformimet shihen kudo. Me keq është kur kalohen nëpër Ramajë, ndërsa në hyrje të fshatit Kushnin, në afërsi të varrezave, në një pjesë balta ka mbuluar asfaltin,  aq sa lëvizja duhet bërë me tepër kujdes në njërin krah.

 

Rrugës po ashtu i mungojnë edhe trotuaret, të cilat nuk vërehen as kur hyn nëpërmes fshatrave, si në Krajk, Ramajë, Lukijë, Kushnin, Demjan, Gërqinë, Lipovec, e gjetiu.

 

Banorët: Qerim Temaj, Gëzim Shatri,  Imer Jahdauti e të tjerë, thonë se kjo rrugë ndoshta është ndër më të dëmtuarat në vend, ndërsa kjo reflektohet në dëmtimin e automjeteve, që duhet ta përballojnë

 

Asfaltimi i aksit rrugor Gjonaj-Bishtrazhin, në vitin 2004, ka qenë projekt thelbësor dhe më i vlefshmi për këtë anë. Ajo bën pjesë në rrugët rajonale,  që janë në mbikëqyrje të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërtimi i saj ka ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe ka ndihmuar në përmirësimin e kushteve jetësore në këtë rajon.

 

Referuar shënimeve, kostoja e asfaltimit të rrugës Gjonaj-Bishtrazhin, në një gjatësi prej 35 kilometrash që lidh 17 fshatra të Hasit me mbi 20 mijë banorë pat kushtuar mbi 5 milion €.  Pjesën më të madhe të mjeteve e siguroi Ministria për Transport, një pjesë komuna e Prizrenit dhe ajo e Gjakovës. Sipas autoriteteve një kontribut mjaft të madh e kanë dhënë edhe vetë banorët hasjanë, gjegjësisht kurbetçinjtë e këtij rajoni që grumbulluan rreth 600 mijë €.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.