25-11-2024

Dënohen me nga 1 vit burgim me kusht tre të akuzuarit për rrahjen e një të mituri në Rahovec

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, i ka dënuar me nga 1 vit burgim me kusht të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, Haris Bugari, Milaim Daka dhe Veton Shabandula.
Haris Bugari etj (7)
Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën nga gjykatësi Mizahir Shabani, dënimi me burg ndaj tyre nuk do të ekzekutohet, nëse në periudhën dy vjeçare nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Vendimi u mor pasi të akuzuari paraprakisht u deklaruan fajtor në shqyrtimin fillestar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Enis Gashi, të akuzuarit kanë thënë se pendohen për rastin që ka ndodhur, duke kërkuar një dënim më të butë.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Gashi, e më pas e ka aprovuar gjykatësi Shabani.

Me aktgjykim, Bugari, Daka dhe Shabandula gjithashtu obligohen me pagesën e shpenzimeve procedurale, në shumën prej 60 euro si dhe shumën prej 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Aktakuza ndaj Haris Bugarit, Milaim Dakës dhe Veton Shabandulës është ngritur më 4 mars 2020, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit, më 5 janar 2020, me dashje dhe ne bashkëveprim me njeri tjetrin i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit-të miturit A.M.

Aty thuhet se në natën kritike, tre të lartpërmendurit kishin qëndruar dhe konsumuar alkool në një kafiteri në Rahovec, ku i dëmtuari punonte si kamerier. Sipas aktit akuzues, kur  Haris Bugari, Milaim Daka dhe Veton Shabandula kishin dalë nga lokali, i kishin thënë të dëmtuarit që do të kthehen më vonë në lokal dhe kishin kërkuar që i njëjtë t’i presë ata. Mirëpo, thuhet se i dëmtuari ne ora 02:30 e kishte mbyllur lokalin dhe kishte vazhduar për në shtëpinë e tij, ku rreth orës 03:30 dëshmitari Leotrim Muqaj e kishte thirrur atë në telefon, duke kërkuar që t’ia jepte çelësat e kafiterisë të pandehurve.

Sipas aktakuzës, posa takohet i dëmtuari me të pandehurit, të njëjtit në shenjë revolte që nuk i kishte pritur në lokal e fusin në veturën e tyre dhe në ato momente e sulmojnë fizikisht atë, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe kokës, me ç’rast i shkaktojnë lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këtë, sipas aktakuzës ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 3, nën paragrafi 3.1. lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 1.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.