25-11-2024

Dëshmitë në gjykimin për korrupsion ndaj ish-inspektorit të Hidro-ekonomisë në Prizren

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca gjyqësore për rastin ndaj ish-inspektorit të hidro-ekonomisë në Komunën e Prizrenit, Avdulla Gashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë seancë dëshmitë e tyre i dhanë,  investitori Hashim Kryeziu, njëri nga punëkryerësit Gafurr Ponik dhe koordinatori i përgjithshëm i inspektorateve në Prizren, Fail Hoxha, ndërsa për shkaqe shëndetësore në gjykatë për të dhënë dëshminë nuk u paraqit dëshmitari Arben Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa në këtë seancë u konfirmua se edhe Komuna e Prizrenit, ka angazhuar përfaqësuesin e saj.

Lexo edhe:

Gjykata dhe përmbaruesit ia marrin afro 2.9 milionë euro Komunës së Prizrenit

Ndryshe gjatë kësaj kohe ka pas shtyrje të shumë seancave ku Komuna e Prizrenit, ka qenë palë e dëmtuar, për shkak të mungesës së një përfaqësuesi ligjor të autorizuar.

Dëshmitari Kryeziu deklaroi se lokacioni ku është i ndërtuar objekti që është objekt i aktakuzës, është pronë e Arif Fazliut dhe Nazim Fazliut dhe se ky si bashkëfinancues me  Arifin dhe Nazimin, në vitin 2017  e kishin filluar këtë objekt si objekt dasmash.

Tutje dëshmitari deklaroi se objekti ka pasur planë të ndërtimit, të hartuar nga inxhinieri i ndërtimtarisë Salajdin Krasniqi.

Në lidhje me parcelën 801, e cila është objekt i aktakuzës, investitori deklaroi se nuk e kanë ditur që është pasuri shoqërore.

Dëshmitari deklaroi se kur kanë ardhur inspektorët në vendin e ngjarjes, i ka paraqitur atyre listën poseduese, kopjen e planit, ndërsa ata e kanë përpiluar procesverbalin të  cilin e ka nënshkruar edhe vet ai.

Sipas dëshmitarit punimet në ndërtimin e objektit janë ndërpre, kur ka ardhur inspeksioni tjetër, në atë kohë objekti ka qenë pothuajse në përfundim, vetëm pllaka e fundit ishte ende e pavendosur, arsyeja e ndërprerjes së punimeve ka qenë një brazhdë e ujit e cila e ka prerë parcelën përgjysmë dhe kjo brazhdë është pronë e ujërave.

Në lidhje me vizitat që i ka bërë inspektori Avdulla Gashi, dëshmitari Kryeziu tha se ai e ka vizituar vetëm njëherë, mirëpo i akuzuari Gashi, deklaroi se atë objekt e ka inspektuar dy herë.

Dëshmitari në fund deklaroi se për momentin është duke e pritur legalizimin e atij objekti, pasi që është në procedurë të legalizimit, pasi që objekti nuk ka pas leje ndërtimore.

Pas përfundimit të dëshmisë nga Hashim Kryeziu, në sallë për të dhënë dëshminë e tij u paraqit Gafur Ponik.

Ai deklaroi se në këtë parcel ka punuar për dy ose tri ditë, ku ka bërë rrafshimin e vendit dhe se nuk ka biseduar asnjëherë me të akuzuarin Avdulla Gashi.

Pas dhënies së dëshmisë nga Gafur Ponik, në sallë u paraqit, koordinatori i përgjithshëm i inspektorateve në Prizren, Fail Hoxha.

Hoxha Deklaroi se detyrat e punës së tij janë koordinimi i punës ndërmjet sektorëve të drejtorisë, koordinimi i punës së drejtorisë me drejtoritë tjera etj, ndërsa deklaroi se inspektorët e hidro ekonomisë nuk hyjnë në kuadër të kompetencave të tij.

Në lidhje me bazën ligjore të veprimit, dëshmitari Hoxha, deklaroi se inspektorët veprojnë në bazë të ligjeve specifike, mirëpo në rast të zbrastirave ligjore, atëherë vlen ligji i procedurës së përgjithshme administrative.

Tutje dëshmitari deklaroi se në rast kur haset në parregullsi që i takojnë një sektori tjetër, inspektorët duhet që t’i njoftojnë inspektorët tjerë përkatës.

Pas përfundimit të dëshmisë nga dëshmitarët, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rexhep Hasani, deklaroi se heq dorë nga propozimi për ta thirrur në cilësinë e dëshmitarit Arben Krasniqin.

Pasi që i akuzuari Avdulla Gashi, nuk ishte në gjendje ta jap mbrojtjen e tij, kryetarja e trupit gjykues njoftoi palët se seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet të mbahet me 19 nëntor 2020 në ora 09:00

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.