18-04-2024

Dështon për të dytën herë seanca për rastin e vrasjes së rëndë në Suharekë

Ka dështuar përsëri të mbahet seanca e paraparë për sot në Gjykatën Themelore në Prizren, për vrasjen e Abedin Bytyqit, që kishte ndodhur më 6 tetor 2016, me të cilën janë ngarkuar të akuzuarit Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi.

Anëtarja e trupit gjykues Arjeta Gashi, njoftoi se shkak për mosmbajtjen e kësaj seance është mungesa e kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani, i cili ka probleme shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë të pranishëm ishin prokurori Genc Nixha, mbrojtësit e të akuzuarve dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Ndërsa nuk ishin prezent të akuzuarit për të cilët Gjyqtarja Gashi, tregoi që paraprakisht ishin njoftuar që seanca e sotme nuk do të mbahet.

Pasi që kjo seancë nuk u mbajt, seanca e radhës është caktuar të mbahet me 22 dhe 29 janar 2021 në ora 10:00.

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktgjykimit, të akuzurve Ademi dhe Bytyqi, në dënim do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 tetori 2016 deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, kurse të akuzuarit Fetiu, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori 2016 deri më 28 qershor 2017, si dhe prej datës 20 maj 2019 e deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi kurse, Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi,  ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.