18-05-2024

Detaje nga policia për plagosjen e pejanit në “Bazhdarhane” të Prizrenit

Të hënën është plagosur një person me armë zjarri në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit, dhe i cili aktualisht është duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit. Rastin për TV Prizreni e ka konfirmuar Vesel Gashi, zyrtar për informim i DRP në Prizren, i cili tha se, Policia në ora 8 e 50 minuta ka marrë informacion se në Emergjencë është dërguar një person i plagosur me armë zjarri.

Njësitet policore menjëherë kanë shkuar në emergjencë edhe kanë kuptuar se i plagosuri është V.H, viti i lindjes 1982 dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë . Ai ka thënë më tej se motivet për inicidentin nuk dihen dhe Policia ka filluar me hetimet fillestare, ndërsa është në gjurmë të identifikimit të autorit të dyshuar që ka plagosur 39 vjeçarin.

Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Afrim Avdaj, thotë se në Qendrën Emergjente të këtij institucioni shëndetësor është sjellur në ora 8:55 minuta një person i plagosur me inicialet V. H nga Peja, me dy plagë në trup dhe mjekët mënjeherë kanë intervenuar për t’i ofruar tretman të shpejtë mjekësor. Gjendja e tij tani paraqitet stabile dhe i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetë, tha drejtori Avdaj.

Gjithashtu, ai njoftoi se në Emergjencë i është dhënë tretman mjekësor edhe një të lënduari tjetër nga incidenti i ndodhur në lagjen ” Bazhdarhane”, dhe me të cilin tash po merren organet përkatëse policore, njoftoi ai. Ndryshe, kohëve të fundit incidentet e ngjashme kanë rezultuar edhe me fatalitet në Prizren, dhe kjo dukuri ka shqetësuar tejmase qytetarët për sigurinë e tyre.

Asnjë koment

Comments are closed.