19-05-2024

Dimër në Prizren, disa shkolla fillojnë ngrohjen

Ndonëse, sipas kalendarit jemi në javën e parë të stinës së vjeshtës, në praktikë koha i ngjan dimrit, aq sa qytetarët nuk mbajnë mend qw një ftohtë i tillë të ketë mbretëruar në fund të shtatorit, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Në fshatra të rajonit të Luginës së Lumbardhit (Zhupa) po mbretëron kohë e ftohtë, ndërsa në mëngjes temperaturat kanë rënë në minus 1 gradë C.

Për shkak të kësaj jo vetëm banorët, por edhe shkollat kanë filluar ngrohjen, ndërsa kjo shënon kohën më të hershme, kur shkaku i temperaturave të ulëta,  ngrohja e objekteve nis në fund të shtatorit.

Fotografia e Sedat Bajrami

Drejtori i shkollës në fshatin Mushnikovë, Sedat Bajrami, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net”, se në fshatin që ndodhet  prej 950 metra lartësi mbi detare, është tepër ftohtë, dhe se ka urdhëruar fillimin e ngrohjes në shkollë.

“Nëpër shtëpi kemi filluar të ndezim ngrohjen para dy dite”, tregon ai, duke sqaruar se ky proces asnjëherë nuk ka filluar para muajit tetor.

Në Prizren ndërkaq këtë mëngjes është mot me diell, por i ftohtë dhe po fryn erë. Sipas meteorologëve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të arrijnë ndërmjet 14-16 gradë Celsius.

Rënia kaq e ndjeshme e temperaturave, sigurisht do të reflektohet edhe në ngritjen e çmimit të druve, që edhe ashtu sivjet janë tepër shtrenjtë, meqenëse 1 metër sillet nga 40-50 euro. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.