Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej 72 mijë eurosh në Vërmicë, mbi 4 mijë produkte në kamion
Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72 mijë e 600 eurosh gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Vërmicë.

Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi një zyrtar doganor ka dyshuar për mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe asaj faktike të ngarkesës.

Pas kontrollit të detajuar të automjetit, janë zbuluar 1 mijë e 36 palë këpucë dhe 2 mijë e 980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin përfshirë në deklaratën doganore.
Sipas Doganës, pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre, pa përfshirë detyrimet e importit, arrin në rreth 72 mijë e 600 euro.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë i mallrave përbën shkelje të legjislacionit doganor dhe mund të sjellë masa ligjore, përfshirë pagesën e detyrimeve të importit.


