Dragash: Kërkohet nga gjykata që të detyrohet i padituri të bëjë dorëzimin e çelësit të shtëpisë që është objekt i padisë

Përfaqësuesi i paditësve Nehru dhe Veis Murtezani, Anifa Ramadani dhe Gjylshahe Shjapi, avokati Sahadin Beqiri ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, që ta aprovojë masën e përkohshme të sigurisë dhe të detyrohet i padituri Ferat Murtezani, të bëjë dorëzimin e çelësit të shtëpisë në fshatin Orqusht, Komuna e Dragashit, që njëherit është objekt i padisë.

Paditësit po pretendojnë se shtëpia e lartpërmendur si dhe prona aty është e përbashkët, pasi e kanë trashëguar nga babai, por që thuhet se i padituri pa të drejtë i ka marrë për vete ne posedim.

Kërkesa e avokatit Beqiri u bë në seancën e së hënës, në të cilën nuk ishin prezent katër paditësit, si dhe dëshmitari Ilmijar Zulfikari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e rastit, Sabaheta Kurteshi tha se për të lartpërmendurit, të cilët mungojnë në seancë, gjykata ka fakte se janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Në seancë ka qenë prezent i padituri Ferat Murtezani.

foto per web -2-03.08.2020

Në këto rrethana, gjykatësja Kurteshi ka bërë të ditur se seanca nuk mund të vazhdoj në mungesë të paditësve dhe dëshmitarit, kurse atë të radhës e caktoi për 3 shtator 2020, në ora 14:30.

Sipas padisë së ushtruar më 21gusht 2017, paditësit Nehru dhe Veis Murtezani, Anifa Ramadani dhe Gjylshahe Shjapi pretendojnë se janë bashkëpronar të pronës dhe shtëpisë kontestuese, e cila gjendet në fshatin Orqusht, Komuna e Dragashit.

Paditësit kërkojnë nga gjykata që t’ua vërtetoj sipërfaqen prej nga 1/5 të pronës kontestuese, pronë kjo të cilën ata e kanë trashëguar në vitin 2005, nga vdekja e të atit Azis Murtezani.

Sipas padisë, i padituri pa të drejtë ka marrë shtëpinë dhe pronën për vete, përkundër faktit se ajo me ligj u përket të gjithë vëllezërve dhe motrave. /BetimipërDrejtësi