27-04-2024

Droga, lypsarët dhe qentë endacakë shqetësim për Prizrenin

Në mbledhjen e radhës së KKSB – Këshillit Komunal për siguri në Bashkësi, që vepron në kuadër të Kuvendit Komunal të Prizrenit, përfaqësues të policisë dhe ata të ekzekutivit lokal kanë raportuar për gjendjen e sigurisë, duke paraqitur rastet e drogës, të lypsarëve dhe numrin e qenve endacakë si shqetësuese, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net”.

 

Haris Dida, komandant i stacionit policor jug (ish stacioni i vjetër ) ka raportuar rreth aktiviteteve të ndërmarra nga policia dhe ka paraqitur statistika rreth veprave penale të kryera në Prizren, e ku si shqetësuese janë paraqitur rastet me substanca narkotike dhe ato të lypsareve. Ai ka paralajmëruar për vetëdijesim në prag të fillimit të sezonit të dasmave, kur disa përdorin edhe armë, duke rrezikuar të tjerët në ceremoni.

 

Ai po ashtu kërkoi vigjilencë edhe sa i përket rasteve të zjarrit, tashmë kur po hyjmë një ditët e ngrohta të verës, që edhe favorizojnë përhapjen e tyre.

 

Edhe zëvendëskomandanti i stacionit policor jug (në Lubizhdë) Avdi Kryeziu, ka njoftuar për statistikat duke thënë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur janë paraqitur 85 raste, sivjet ka një rënie për 4 raste, derisa sipas tij zbulueshmëria është në shkallën 85 përqind.

Ai tha se në pjesën që menaxhohet nga ky stacion janë të regjistruara 15 familje të cilat janë në hasmëri.

 

Arbër Telaku, nga policia kufitare në Vërmicë, ndërkaq ka thënë se në tre muajt e fundit në këtë pikëkalim janë regjistruar 19 raste të veprave penale, dy prej të cilëve kontrabandim me armë, ndërsa 14 kontrabandim me substanca narkotike.

 

Ndërkaq drejtori për Bujqësi dhe zhvillim rural në Prizren, Egzon Elshani ka njoftuar për ecurinë e aksionit për trajtimin e qenve endacakë, numri i të cilëve sipas tij është i madh, ndërsa për këtë siç tha kanë faj edhe blegtorët, të cilët qentë në moshë po i lëshojnë në qytet.

 

Ai tha se me mjetet e parapara sivjet do të trajtohen vetëm 700 qenë, ndërsa kjo nuk është e kënaqshme, pasi janë diku rreth 1 mijë qenë të tillë.  “Përkohësisht aksioni është ndërprerë për shkak të mungesës së “anestetikut’, por që në fillim të javës së ardhshme pritet, që dy kontraktorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të rinisin”, ka thënë Elshani.

Sipas tij në Sharr (ish Dragash janë trajtuar rreth 200 qen endacakë./gazetaeprizrenit/

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.