Dyshime për dallavare: Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter
Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.
Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi.
Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja.
Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024.
Policia e Kosovës, bazuar në të gjeturat dhe rekomandimet e IPK-së, pas rishikimit të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike, që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur.
Policia e Kosovës është organizatë transparente, llogaridhënëse dhe çdo gjë që mund të dëmtojë reputacionin apo të krijojë mosbesim të policëve e të publikut, do të punojë që ta ruajë dhe ta ngritë edhe më tej besueshmërinë e zyrtarëve të saj dhe publikut, duke ofruar transparencë, monitorim të procesit nga partnerë të jashtëm dhe mbikëqyrje të të gjitha proceseve.