25-04-2024

Ekspertët e Dinamos-Zagrebit ndihmojnë klubet shqiptare në menaxhimin e akademive

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua seminari “Zhvillimi i programeve stërvitore për të rinj”.

Ky seminar, i organizuar në kuadër të procesit të licencimit të klubeve, i drejtohej të gjithë drejtuesve të akademive të ekipeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. FSHF kishte ftuar në rolin e ekspertit dhe këshilluesit, Tomislav Butina, nga akademia e Dinamo Zagreb.

Drejtori teknik i Departamentit të Futbollit në FSHF, Dzemal Mustedanagiç, falenderoji klubet për pjesëmarrjen e madhe dhe seriozitetin e treguar në këtë proces, dhe u shpreh se Departamenti që ai drejton do të jetë gjithmonë në ndihmë të çdo klubi dhe akademie që kërkon ndihmë dhe një ekspertizë më të thelluar për të rritur cilësisht punën e përditshme që bëhet me moshat, raporton atsh. Butina në referimin e tij u tregoi të pranishmëve mënyrën e funksionimit të Akademisë së GNK Dinamo Zagreb, punën që bëhet me seleksionimin dhe stërvitshmërinë e të gjithë lojtarëve që janë pjesë e kësaj akademie dhe mënyrat e përditësimit të programeve stërvitore sipas standardeve më të fundit europiane dhe botërore.

Seminaret që po organizohen gjatë procesit të licensimi të klubeve kanë si qëllim rritjen e kapaciteteve manaxheriale dhe përkon me strategjinë dhe vizionin e FSHF-së, Futbolli 2030. Në këtë vizion është rishikuar i gjithë procesi i licencimit, si një proces bashkëpunimi me çdo klub, ku FSHF do te ofroj ekspertizë dhe asistencë të vazhdueshme në çdo sektor që ka lidhje me menaxhimin bashkëkohor të një klubi futbolli.

Me drejtuesit e akademive të klubeve shqiptare do të zhvillohet një tjetër seminar në muajin janar, në të cilin do të trajtohen edhe tema praktike rreth mënyrës së stërvitjes nëpër Akademi. Në seminarin e radhës do të jetë përsëri një përfaqësues i GNK Dinamo Zagreb, Drejtori i akademisë, Damir Krznar, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij duke sjellë ekspertët më të mirë të futbollit të moshave./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.