Ekzekutimi mafioz në Brazil, si u vra shqiptari me 4 plumba në lokal (VIDEO)
Mediat braziliane kanë rindërtuar skemën e vrasjes së shqiptarit Ilir Zelka në São Paulo, Brazil, një ngjarje që ndodhi ditën e djeshme.
Ekzekutimi mafioz është mbuluar me mister për sa i takon motivit, ndërkohë që autorët janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
47-vjeçari u ekzekutua në një restorant ku po konsumonte mëngjesin, ndërsa prej më shumë se dy javësh qëndronte në një hotel luksoz.
Autoritetet braziliane theksojnë se shqiptari u qëllua 4 herë me armë zjarri në një nga lagjet më të pasura në qytet.
Kamerat e kapën autorin, por identifikimi do të jetë i vështirë pasi ata ishin të maskuar. Disa orë pas ngjarjes u gjet i braktisur motori që ata përdorën për vrasjen.
Mediat kanë rindërtuar skemën e vrasjes, ku një burrë i afrohet restorantit dhe qëllon në drejtim të shqiptarit 4 herë. Zelka ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda që mori.
Sipas dëshmitarëve okularë, motoçiklisti u pozicionua në cep të restorantit dhe më pas hapi zjarr. Plumbat e shembën në tokë shqiptarin, i cili ishte ulur në një karrige, ndërsa po hante në një tavolinë në hyrjen e parkingut.
Sipas policisë, vrasësi u largua me motor në Praça David Campista, në Avenida Brasil, ku ai braktisi mjetin e tij dhe ndryshoi rrobat për të mos u njohur.
Sipas menaxherit të bar restorant “Zurich”, Osmar Américo dos Santos, deri para dy javësh shqiptari vinte në bar-restorant dhe porosiste 3 vakte në ditë.
Ilir Zelka ka qenë pronar i një biznesi në Çeki. Ai kishte hequr dorë si ortak që prej datës 9 mars por kompania mban ende emrin e tij.
Ekzekutimi i tij në Brazil, vjen pak javë pas vrasjes mafioze të Adriatik Tresës që ndodhi në Ekuador, një prej shteteve të Amerikës Latine të njohur për prodhimin e kokainës. noa.al/