Emërohen gjyqtarët e departamentit special në Themelore dhe Apel
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur takimin e radhës me ç’rast janë miratuar rekomandimet për gjyqtarë në departamentin special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën e Apelit.
Komisioni për përzgjedhjen e gjyqtarëve në departamentin special, i emëruar në bazë të rregullores për organizimin dhe funksionalizimin e departamentit special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, ka bërë rekomandimin e gjyqtarëve në departamentin special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën e Apelit.
Sipas një komunikate, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, aprovoi rekomandimet e komisionit, dhe votoi për secilin kandidat të rekomanduar nga komisioni, transmeton kp.
Për Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Këshilli emëroi këta gjyqtarë Valbona Musliu – Selimaj, Valon Kurtaj, Arben Hoti, Albina Shabani – Rama, Musa Kongjeli, Shadije Gërguri.
Në vijim të takimit Këshilli, votoi për secilin kandidat të rekomanduar nga Komisioni, për Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, dhe emëroi këta gjyqtarë Kreshnik Radoniqi, Vaton Durguti dhe Burim Ademi.
Gjyqtarët e lartëcekur nga data 1 korrik do të fillojnë punën në Departamentin Special të Gjykatave përkatëse.
Po ashtu, Këshilli sipas rregullores, caktoi ushtrues detyre të kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharraxhiu, gjyqtar, nënkryetar i Gjykatës, ndërsa në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ushtrues detyre të kryetarit të gjykatës caktoi Nikollë Komani, gjyqtar, nënkryetar i gjykatës.
Ky caktim i ushtruesve të detyrës së kryetarit në gjykatat përkatëse, do të zgjas deri në emërimin e kryetarëve të gjykatave të lartëcekura.