04-04-2020

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik

Nga Lulzim SAHITI

Me këtë rrëfim, për ngjarje lufte, kemi synim të kthejmë lexuesin prapa në kohë, për një kohë jo shumë të largët, kur ndodhi lufta për liri në të gjitha dimensionet e gjeografisë sonë. Nganjëherë, në këtë fejton të gjatë, jeta e njeriut do të ngjasojë me legjenda. I bazuar në rrëfime të vërteta, ky shkrim do të na mundësojë t’i njohim vuajtjet dhe sakrificat e çlirimtarëve tanë. Thjeshtësia dhe madhështia e luftëtarëve të lirisë, të atyre që, jo pse e deshën luftën, por kur po u mohoheshin të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare, madje edhe e drejta elementare për jetë, detyruan heronjtë tanë të ngritën në këmbë duke hequr dorë nga jeta e zakonshme, nga ëndrrat e rinisë… rrokën në duar armët e lirisë për t’i mbijetuar shfarosjes serbe deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Çdo dëshmor që ka rënë më 14 dhjetor 1998 është legjendë, ndërsa të gjithë së bashku janë një monument i veçantë i historisë sonë që na bëjnë të ndihemi krenarë për jetën dhe veprën e tyre. Dyzet e një dëshmorët që prehen në përjetësi dhe ata që mbetën heronj të gjallë janë një dëshmi e një legjende, e cila përgjithmonë do të kujtohet nga populli, do të kujtohet pikërisht për sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mira që dhanë jetën për lirinë e vendit tonë që sot po e gëzojmë.

 Nevoja për furnizim të UÇK-së me municion dhe armatim

Marrëveshja për armëpushim Holbrooke – Millosheviq e 13 tetorit 1998 solli vëzhgues të paarmatosur ndërkombëtarë të OSBE-së që vepronin në kuadër të Misionit Verifikues të Kosovës (MVK) dhe tërhoqi një kontingjent të trupave serbe nga pozicionet luftarake. Njësitet e UÇK-së përfituan nga ky moment i pushimit të luftimeve për t’i rimarrë sërish nën kontrollin e tyre pozicionet që kishin më parë. Po kështu, luftëtarët e lirisë nga Shtimja, Skenderaj, Prizreni, Drenasi, Rahoveci, Hani i Elezit, Istogu, Lipjani, Malisheva, Peja, Ferizaj, Klina, Suhareka, Vushtrria e të tjerë kanë shfrytëzuar kohën e këtij armëpushimi të brishtë për të marrë edhe armatim dhe municion në Republikën e Shqipërisë.

Pamje gjatë stërvitjeve ushtarake në Cahan

Nga dita në ditë, forcat e UÇK-së që vepronin në territorin e Komunës së Shtimes vinin duke e rritur numrin e ushtarëve në radhët e tyre. Qindra të rinj e të reja po i mbushnin radhët e UÇK-së. Duheshin përgatitje për beteja të reja, andaj duke e parë të nevojshme furnizimin me armatim dhe municion, në natën e 2 nëntorit 1998, Afrim Islam Musliu, luftëtar i sistemuar në pikën e UÇK-së në Rancë, me shumë bashkëluftëtarë të Zonës Operative të Nerodimes, nisen drejt fshatit Pjetërshticë duke kaluar në Krojmir për ta vazhduar udhëtimin e mëtutjeshëm për Shqipëri. Në sytë e Afrimit lexohej ndjenja e përgjegjësisë për detyrën, andaj nga komanda e UÇK-së ishte caktuar përgjegjës i këtij grupi meqë disa herë e kishte kaluar kufirin Kosovë – Shqipëri për ta furnizuar UÇK-në me armë, duke përballuar shtigjet e gjata këmbë, motin e lig, pritat armike, terrenin e vështirë.

Pas disa ditëve, në natën e 7 nëntorit 1998, këtë rrugëtim të gjatë e merr edhe trimi me zemër të çiltër, Bashkim Krasniqi nga Zllakuqani i Lipjanit, i cili kishte marrë me vete dhjetëra luftëtarë të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu”, të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” që vepronte në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut. Ata nisen këmbë nga Shtabi i UÇK-së në Pjetërshticë duke kaluar në Krojmir, Ngucat deri në Bellanicë, ku atje hipin nëpër kamionë dhe shkojnë deri në Lubizhdë të Prizrenit. Mandej, vazhdojnë rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm nëpër malet e Pashtrikut për të kaluar në Shqipëri, ku Baza e Logjistikës së UÇK-së ka qenë në fshatin Vlahën të komunës Golaj dhe tjetra rreth 25 kilometra në fshatin Cahan të rrethit të Krumës. Në këto dy vende kanë qëndruar ushtarët çlirimtarë disa ditë gjerë sa janë furnizuar me armatim dhe janë përgatitur për frontet e luftës. Meqë ishte numër i madh i pjesëtarëve të UÇK-së, një pjesë e tyre kanë shkuar në Vlahën, kurse pjesa tjetër në Cahan. Përgjegjës për bazën e UÇK-së në Vlahën ishte Sami Ukshini “Sokoli”, kurse për depon e armatimit në Cahan ishte përgjegjës Haki Hajdari – Drenica. Ndërsa përgjegjës i UÇK-së për Veri të Shqipërisë ishte Xheladin Gashi-Plaku.

 Strehimi dhe stërvitjet ushtarake në bazat e UÇK-së në Cahan dhe Vlahën

Siç dihet, në Vlahën dhe Cahan pjesëtarët e UÇK-së kishin adaptuar dy objekte të braktisura për nevoja të tyre ushtarake. Në Cahan kanë shfrytëzuar ish-objektin e repartit ushtarak të këmbësorisë së ushtrisë shqiptare, ndërkaq në Vlahën kanë shfrytëzuar ish-ndërtesën trekatëshe të minierës së kromit të braktisur qysh nga koha e viteve ’90. Me këtë rast numri i ushtarëve që vinin për stërvitje ushtarake e furnizim me armatim nga Kosova dhe diaspora rritej përditë. Këto dy baza ushtarake nuk e kishin kapacitetin për pranim të këtij fluksi të madh të ushtarëve ngaqë nuk kishin vend të mjaftueshëm për strehim, ushqim dhe kushte higjienike. Në anën tjetër, ishte presioni i madh i të interesuarve për mobilizim dhe rreshtim përkrah forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë, nga ushtarët që bënin stërvitjet ushtarake të përditshme filloi presioni tjetër në drejtim të eprorëve të tyre ushtarak duke kërkuar me ngulmë për të hyrë në territorin e Kosovës.

Pak para nisjes në Cahan, nga e majta në të djathtë: Nuri Bexheti, Afrim Musliu, Mensur Zyberaj dhe Rifat Mujota

Të gjitha këto bënë që tri javë para hyrjes në Kosovë, gjegjësisht në fund të muajit nëntor 1998, eprorët ushtarakë të UÇK-së, Ekrem Rexha dhe Mahir Hasani, të takohen në hotelin “Amerika” në Kukës me eprorë të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës: Sylejman Kollçaku, Nexhmedin Kastrati dhe gjashtë të tjerë për ta bashkërenditur veprimtarinë ushtarake për çlirimin e vendit nga okupatori serb, por pa sukses. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe gjenerali Kudusi Lame, i cili përpiqej me çdo kusht ta bënte bashkimin e forcave ushtarake. Në këtë drejtim, shefi i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, ka dhënë kontribut të çmueshëm për bashkimin dhe mobilizimin e përgjithshëm të faktorit ushtarak dhe politik të Kosovës. Duke marrë për bazë të gjitha këto zhvillime të shpejta në terren dhe nevojën për furnizim të trupave ushtarake në Kosovë, komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka marrë vendim për të hyrë në Kosovë, më 13 dhjetor 1998. (Vijon) / Epokaere/ GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.