Filloi zgjerimi i rrjetit ë kanalizimit në një lagje të Malishevës
Sot kanë filluar punimet për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në lagjen e Hotëve në Malishevë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Punimet në këtë lagje, i kanë parë nga afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i shoqëruar edhe nga drejtori për buxhet dhe financa, Valon Mazreku, të cilët janë ndarë të kënaqur me punimet që janë duke u bërë. Nënkryetari Berisha dhe drejtori Mazreku, gjithashtu kanë takuar edhe banorët e kësaj lagje.
“Rregullimi i infrastrukturës në përgjithësi, e në veçanti i sistemit të rrjetit të kanalizimit, është një prej angazhimeve që kemi si qeveri komunale, pasi kjo është nevojë e kohës, për shkak të ndërtimeve të reja që bëhen, sidomos në qytet, prandaj këto investime kanë rëndësi jetike për banorët”, tha nënkryetari Berisha, gjatë takimit me banorë.
Në njoftimin e zyrës për shtyp të komunës, thuhet se nënkryetari Berisha, është ndarë i kënaqur me cilësinë e punimeve që janë duke u bërë. “Deri më tani, ndoshta projektet janë realizuar në shpejtësi, për shkak të nevojave emergjente, por tani ka ardhur koha që projektet që realizohen, të jenë me cilësi të lartë dhe sipas standardeve”, tha Berisha.
Përndryshe në këtë pjesë të qytetit, janë duke u ndërtuar rreth një mijë metra rrjet i kanalizimit, të cilat realizohen nga buxheti komunal i Malishevës.