Fillon regjistrimi në shkollat e mesme, 24 nxënës në një klasë
Në Prizren është hapur afati i parë i konkursit për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta, ndërsa risi është se sivjet parashihet që një paralele të ketë 24 nxënës.
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Arsimit në Prizren, afati i paraqitjes së dokumenteve dhe shpallja e rezultateve për gjimnaze dhe shkolla profesionale për vitin shkollor 2018/2019, bëhet deri më 21 qershor 2018 në lokalet e shkollës amë, ku nxënësi dëshiron të regjistrohet duke filluar nga ora 8.00-16.00.
Rezultatet për pranimin e nxënësve shpallen në shkollat përkatëse me datën 26.6.2018.
Ndër kriteret që duhet t’i plotësojë një nxënës për regjistrim në klasën e 10-janë suksesi nga shkollimi i obliguar (25 %) 25 pikë, suksesi nga lëndët prioritare në test (15 %) 15 pikë dhe numri i pikëve nga testi (60%) 60 pikë.
Për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të, të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale, për vitin shkollor 2018/19, mund të konkurrojnë kandidatët, të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Nxënësit, të cilët e kanë mbaruar klasën e 9- të jashtë Kosovës, obligohen ta bëjnë nostrifikimin e dëftesave në MASHT dhe pastaj të konkurrojnë për regjistrim.
Në një paralele parashihet numri prej 24 nxënësish./gazetaeprizrenit.net/